Katastrofa është një rast ideal për të kapërcyer dallimet dhe harruar kritikat. Kur katastrofa është natyrore, ajo paraqet një mundësi të pashoqe për solidaritet dhe bashkim pa kushte. Këto mundësi nuk mund t’i ikin pa shfrytëzuar një qeverie televizive si ajo e Edi Ramës, e cila është në gjendje të sajojë skenarë përvujtnie të shtirur edhe kur rrethanat nuk e favorizojnë.
Tani që vala e tërmeteve të datave 21-23 shtator duket se ka kaluar, mund të thuhet me njëfarë sigurie se ironia e Providencës nuk i dha bujarisht Edi Ramës dhe Erion Veliajt një shans për t’u shfaqur me maskën e tyre të parapëlqyer në rolin që kanë më për zemër: atë të heroit tragjik, shpëtimtarit të fatkeqëve, të vuajturve, të vegjëlisë.
Ndoshta vetë mosbegenisja e Veliajt për t’u kthyer nga pushimet jashtë vendit ishte treguesi më besnik i këtij zhgënjimi. Në një skenë kaq të vogël të teatrit të propagandës nuk kishte vend për dy role kryesore.
Lëkundjet e tërmeteve të fuqishme nuk shkaktuan një katastrofë me viktima, shembje pallatesh e urash. Sikur kjo të kishte ndodhur, i gjithë enturazhi i pushtetit do të dislokohej në pozicione vajtimi, solidariteti, asistence fizike në terren me repartet e propagandës të armatosura me kamera, transmetime të drejtpërdrejta në televizione e në internet, dhe, pa dyshim, mijëra fotografi patetike.
Shpërthimi i padurimit për ëndrrën e nënvetëdijshme të këputur në mes nga ironia hyjnore u shfaq te butaforia e ngritjes së kampeve të pritjes për të ashtuquajturit të prekur nga tërmeti, ku zëvendëskryeministri shërbeu supë dhe kryeministri qau hallet gju më gju me popullin.
Mbyllja e shkollave fillimisht për dy ditë ishte një akt burokratik aspak i mirëmenduar, që si rezultat mund të kishte vetëm mbajtjen gjallë të panikut, por në nivele të kontrolluara nga qeveria. Se si mund t’i bënte më të sigurt fëmijët qëndrimi në shtëpi, ndërsa prindërit e tyre do të ishin në punë, kjo nuk kishte asnjë logjikë.
Përhapje e kontrolluar e panikut ishte edhe mesha e Ministres së Arsimit, kur dha lajmin e mirë se mes viktimave të munguara të një termeti në ditë pushimi nuk mungonin nxënësit dhe mësuesit.
E vetmja gjymtyrë e regjimit që vepron me shpejtësi në terren është aparati i represionit, edhe ai i përdorur me një potere propagandistike të mbushur me tone patriotike patetike. Policia mësyu redaksitë e dy mediave që publikuan një lajm të pasaktë rreth pritshmërive të sizmiologëve për tërmete të tjera. E gjithë kjo përkujdesje e motivuar nga hakmarrja politike ndaj këtyre mediave kundërshtare të regjimit u mbyll me lajmin po aq të rremë nga ana qeverisë se tërmete nuk do të ketë.
Të mbetur pa katastrofë, qeveritarët nuk mund të mos kërkonin merita në fatin e bardhë të një tërmeti pa viktima. Nëse, mos e dhëntë Zoti, do të kishte pasur viktima dhe shkatërrime të mëdha, po këta pushtetarë do t’ia linin kostot Zotit apo natyrës dhe do të përvisheshin të vilnin frytet e propagandës hipokrite me lotë e përqafime patetike.
Marrja e masave të panevojshme, disproporcionale mund të keqkuptohet si gatishmëri e mjaftueshme e qeverisë për të përballuar një katastrofë fatkeqe. Në të vërtetë, regjimi tregoi se ai nuk ka asnjë strategji të menaxhimit të katastrofave dhe beson se ashtu sikundër qeveris vendin përmes propagandës, edhe pasojat e një fatkeqësie mund t’i menaxhojë përmes një propagande më brutale, më ambicioze.
Nuk dihet se si do ta përballonte pushteti i Rama-Veliajt një situatë të rëndë humanitare kur Tirana, Durrësi dhe pothuajse të gjithë qytetet e mëdha po kalojnë një krizë uji të paprovuar prej vitesh.
Kur s’kanë bërë asgjë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve për t’u furnizuar me ujë, është e pamendueshme që emergjenca të menaxhohej më mirë sesa vetë normaliteti i përditshëm. Një gjendje emergjence natyrore pa furnizim të sigurtë me ujë do të thotë përhapje e menjëhershme e epidemive.
Skenari i përhapjes së epidemive na hedh në një tjetër rrafsh të katastrofës së përditshme që na bie të jetojmë si qytetarë të Shqipërisë: shëndetësia e falimentuar. Pyetja që lind pa u dashur shumë imagjinatë është: a mund ta përballojë ky sistem dhe kjo infrastrukturë shëndetësore një krizë humanitare, në mos edhe një epidemi?
Përgjigjen ia japin vetë shqiptarët, që përballen përditë me mungesën e ilaçeve, radhët e gjata të pritjes në shërbimet e urgjencës dhe mungesën e pajisjeve të domosdoshme për shërbimin shëndetësor bazë.
Por, thembra e Akilit në menaxhimin e krizave humanitare dhe katastrofave natyrore, fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2019 duket se është shpenzuar gjatë verës për pastrimin e plazheve, fakt që u bë publik gjatë një diskutimi në një studio televizive.
E gjithë rrjeta institucionale që krijohet në rastet e katastrofave humanitare, masat në terren, furnizimet me ushqime, veshmbathjet dhe ilaçet duhet financuar. Se ku do t’i gjejë këto fonde qeveria e përlotur e Edi Ramës dhe Erion Veliajt mbetet enigmë.
Me shumë mundësi, qeveria televizive do t’ia dalë që, ashtu si gjatë përmbytjeve të para disa viteve apo tërmeteve të pranverës në rajonin e Korçës, ta menaxhojë krizën me lugën bosh dhe zjarrin e ftohtë të propagandës. Ndonëse pretendon se ka vënë në dispozicion 6 milion dollarë si fond për përballimin e situatës, qeveria nuk është në gjendje të bëjë as një pasqyrë të dëmeve dhe numrit të të prekurve.
Sipas Bankës Botërore, tërmete shkatërrimtare mund të shkaktojnë humbje të barabarta me 30%-60% të Produktit të Brendshëm Bruto, çfarë do të mjaftonte për të përgjysmuar të ardhurat në buxhetin e shtetit. Në kushte të tilla, do të ishte e vështirë të imagjinohej që administrata publike të ofronte shërbimet rutinë. Sa për përballimin e pasojave të një situatë emergjente, skenari është i zymtë.
Suksesi i regjimit të Rama-Veliajt në menaxhimin e krizave, si në çdo regjim tjetër, nuk matet me indikatorë sasiorë dhe teknikë, por me shkallën e manipulimit të opinionit publik sipas linjave të propagandës zyrtare.
Në këtë fushë, pushteti huazon përvojën e regjimit komunist në garantimin e lumturisë përmes barazisë në mjerim dhe në këtë mision nuk është aspak vetëm. Një flotë e palodhur mediatike e financuar prej pushtetit përhap lajmin e mirë se plani i menaxhimit të krizës u tejkalua.
Megjithatë, lëkundjet disaditore të tërmeteve nuk e shushatën instiktin oligarkik të qeverisë: sigurimi i ndërtesave nga pasojat e tërmetit do të jetë i detyrueshëm. Me këtë vendim qeverie një treg i ri dhe i majmë lind për oligarkët e kompanive të sigurimit në Shqipëri. Vërtet Zoti nuk i dhuroi qeverisë rastin e artë për t’u gjendur sipërfaqësisht pranë njerëzve, por nuk e privoi atë nga djallëzia për të zbuluar mundësi edhe në këtë fatkeqësi.