Në Durrës situata me të pastrehët që shkaktoi tërmeti vazhdon të jetë problematike pasi ende shumë prej tyre nuk janë sistemuar në banesa të tjera.
Foto të raportuara nga Porta Vendore tregojnë dhjetëra qytetarë që qëndrojnë në radhë për plotësimin e dokumenteve që mundësojnë marrjen e bonusit të qirasë apo për njohjen me emrat e afishuar në listat e miratuara nga bashkia.
Sipas gazetarëve në Durrës situata është e njëjtë çdo ditë.
Për bonusin e qirasë qytetarët e Durrësit duhet:
- të kenë vërtetim nga njësia administrative që banesa e tyre është e pabanueshme
- akt-konstatim nga instituti i ndërtimit që vlerëson ndërtesën si të pabanueshme, ose për t’u prishur
- certifikatë familjare
- të dhëna të llogarisë bankare
Deri më tani Këshilli Bashkiak i Durrësit ka vendosur të trajtojë me bonus qiraje 1,310 kryefamiljarë. Sipas kategorive (1+1; 2+1; 3+1) Bashkia ka caktuar mbulimin e qirasë me shifrat 20 mijë lekë, 25 mijë lekë dhe 30 mijë lekë.
Pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas mbi 5 mijë të pastrehë, pjesa më e madhe e tyre janë nga qarku i Durrësit.