Prodhimi i vaksinave anti-COVID ka sjellë me vete edhe debatin nëse ato duhen bërë të detyrushme për të gjithë popullsinë apo i duhet lënë gjithësecilit zgjedhja për ta bërë ose jo.
Vaksina është parë si zgjidhje për situatën socio-ekonomike që ka krijuar pandemia. Shpërndarja e saj pritet të kthejë në normalitet ekonominë dhe lëvizjen e njerëzve por nga ana tjetër vaksina bart me vete pasiguri për faktin se ajo po prodhohet në kohë rekord.
Biologu Nelson Çabej, në një lidhje direkte nga SHBA për emisionin “Me Pak Fjalë” në Euronews, deklaroi se çështja e bërjes së vaksinës “lidhet me të drejtën kushtetuese dhe me lirinë e qytetarit” të cilat sipas tij “në vende të ndryshme janë të garantuara në mënyra të ndryshme”.
Mungesa e informacionit rreth koronavirusit të ri, procesi shumë i shpejtë i prodhimit të vaksinës dhe teoritë e ndryshme konspirative kanë kontribuuar në rritjen e skepticizmit ndaj vaksinës. Në disa vende të BE dhe SHBA ka patur protesta kundër bërjes së vaksinës me detyrim.
Megjithatë numri i viktimave dhe të shtruarve në spitale rritet dita ditës dhe një pjesë e madhe e qeverive dhe njerëzve kanë parë shpëtimin tek vaksina.
Sipas Zotit Çabej, vaksina nuk duhet bërë me detyrim, por ai bën thirrje për sensibilizim dhe edukim.
“Mënyra më e mirë do të jetë shpjegime nëqoftëse nuk ka mënyrë detyrimi, edhe nuk duhet të ketë për mendimin tim, kështu shpjegimi dhe bindja e njerëzve dhe kjo nuk është e pamundur. Shërbimi mjekësor shërbimi shëndetësor e ka detyrë dhe e ka të mundur, në mbi 90% të rasteve t’i bindi njerëzit që ta bëjnë këtë vaksinim”, tha biologu.