TIA po i shitet një grupi kinez – Ministri Ahmetaj gënjen për heqjen e monopolit të fluturimeve

TIA po i shitet një grupi kinez – Ministri Ahmetaj gënjen për heqjen e monopolit të fluturimeve

Dje, Drejtori i Përgjithshëm i Tirana International Airport (TIA), Rolf Castro-Vasquez, u shpreh për Monitor.al se TIA nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me qeverinë shqiptare për heqjen apo kufizimin e monopolit të fluturimeve ndërkombëtare që gëzon Aeroporti i Rinasit deri në vitin 2025.

Drejtori pranoi se ka prej kohësh ka negociata të vazhdueshme me qeverinë për këtë çështje, por ende nuk është arritur ndonjë zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët.

Pohimi i Zotit Castro-Vasques përgënjeshtron deklarimin e ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj i cili, para një jave, deklaroi para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë në Kuvend se qeveria kishte mbyllur marrëveshjen me TIA-n për të kufizuar eksluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare në një zonë me rreze 100 kilometra nga Rinasi.

Në fakt, Zoti Ahmetaj ka shpallur të paktën katër here, brenda më pak se një viti, arritjen e marrëveshjes me TIA-n, por në të gjitha rastet pohimet e tij kanë qenë të gënjeshtërta.

Ndërkohë, një tjetër zhvillimi i rëndësishëm duket se mund ta bëjë të vështirë, të paktën për momentin, ndryshimin të marrëveshjes koncesionare me TIA-n.

Një kompani kineze është duke negociuar për blerjen e kompansië TIA. Negociatat, që po zhvillohen prej muajsh, kanë përparuar mjaftueshëm sa tashmë konsiderohet e sigurtë që blerja do të mbyllet me sukses.

Në këto kushte, duket se ka pak gjasa që aksionerët aktualë të TIA-s të duan të heqin dorë nga një aset i rëndësishëm para shitjes, gjë që do të ulte çmimin e shitjes së TIA-s.

Ministri Ahmetaj dhe qeveria nuk kanë komentuar asnjëherë mbi këtë fakt dhe po e mbajnë të fshehtë. Është e paqartë nëse qeveria shqiptare duhet të japë dakordësinë e saj për çdo ndryshim të pronësisë së TIA-s.

***

Disa nga deklaratat e Ministrit Ahmetaj në lidhje me marrëveshjen e supozuar të qeverisë me TIA-n:

3 maj 2015, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend:

“Brenda 2 muajve do të hiqet ekskluziviteti i fluturimeve nga aeroporti i Rinasit. Kjo i jep mundësi hapjes së aeroporteve në jug.”

13 shtator 2015, intervistë me gazetarin Ilir Babaramo:

Së bashku me Ministrin Haxhinasto besojmë, në krye të dy javëve, do deklarojmë zyrtarisht që kemi rënë dakord me konçesionarin për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Menjëherë pas kësaj do të fillojmë me Kukësin; them me kënaqësi që ka kërkesa edhe për aeroportet e jugut.

22 dhjetor 2015, takim me operatorët turistikë:

“Ne kemi rënë dakord me koncesionarin e Rinasit për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare dhe kemi kërkesa konkrete për aeroporte ‘low cost’ edhe në Sarandë, edhe në Vlorë. Jam duke folur për kërkesa konkrete. Marrëveshja me koncesionarin po kalon në qeveri dhe Parlament.”

2 shkurt 2016, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend:

Negociatat janë mbyllur me sukses. Dosja është çuar tek bordi i koncesionarit. Do të hiqet ekskluziviteti për një rreze 100 km. Presim oferta për ndërtimin e aeroporteve lokale.

Artikuj të lidhur:

Aeroportet fantazma të llojit Rama-Ahmetaj

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>