Policia në Tiranë ka arrestuar 25 persona dhe ka nisur hetimin për 130 të tjerë pas protestës së të premtes për vrasjen e Klodian Rashës.
Në një njoftim zyrtar, policia shkruan se nga dhuna e protestuesve u plagosën 3 policë dhe u shkaktuan dëme materiale të shumta.
“Organizuan grumbullim dhe tubim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën 3 punonjës të Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private, arrestohen në flagrancë 25 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 130 shtetas të tjerë.
Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.”
Personat e arrestuar akuzohen për organizim të paligjshëm të protestave dhe shkatërrim të pronës publike.
Të premten vijoji dita e tretë e protestave kundër vrasjes së Klodian Rashës.