Tirania që vjen nga pandemia

Nga Vehap Kola
Tirania që vjen nga pandemia

Pandemia globale e COVID19 u përhap në saje të simptomave të saj të heshtura dhe të keqmenaxhimit nga sistemet shëndetësore kombëtare. Kundër përhapjes së pandemisë duket se janë prodhur dy modele: ai kinez i izolimit drakonian të një rajoni të stërmadh me mbi 60 milionë banorë dhe modeli koreanojugor, që përqendrohet më tepër te parandalimi i përhapjes përmes kontrollit mjekësor të popullatës.

Kina ishte në gjendje të ndalte me dorë të hekurt çdo aktivitet njerëzor jashtë mureve të shtëpisë, përmes regjimit diktatorial. Duket se masat që mori Kina po japin rezultat në përmbajtjen e përhapjes së mëtejshme të virusit, por raporti i vdekshmërisë mbetet i lartë. Vdekshmëria në mesin e të infektuarve me COVID19 është mbi 3 (tre) përqind.

Modeli koreanojugor ishte i ndryshëm nga ai kinez. Ndërsa virusi nuk ishte përhapur ende masivisht në Itali, Korea e Jugut kishte përhapjen më të lartë të epidemisë jashtë Kinës. Korea e Jugut nuk i anuloi plotësisht udhëtimet dhe fluturimet me Kinën dhe as nuk kufizoi lëvizjet brenda vendit. Përkundrazi, duke u mbështetur në përvojën e akumuluar gjatë epidemisë MERS të vitit 2015, ajo testoi qindramijëra njerëz në kufij, klinika dhe në stacione të lëvizshme.

Rezultatet duken sheshit: Korea ka vetëm disa mijëra të infektuar, ku shumica janë përqendruar në qytetin Daegu, 150 km në jug të Seulit, dhe vetëm 103 të infektuar në Seulin me mbi 10 milionë banorë.

Rezultati më i shkëlqyer i kësaj metode të menaxhimit është vdekshmëria e ulët, nën mesataren globale. Më pak se 1 (një) përqind e të infektuarve me COVID19 kanë humbur jetën në Korenë e Jugut. Më datë 4 mars, vendi njoftoi një rënie prej tri ditësh rresht në numrin e rasteve të reja.

Modeli i adoptuar nga Italia dhe vendet perëndimore është modeli kinez, që është krejtësisht i papërshtatshëm për stilin perëndimor të jetesës. Jo vetëm që ky model nuk po funksionon aq mirë sa tjetri, por vendet po humbin kohë të çmuar për të marrë masat e duhura dhe për të ndalur avancimin e sëmundjes. Vdekshmëria në Itali është më e larta e regjistruar, 7 (shtatë) përqind.

Në analizën e tij, Kryeministri Rama duket se ka përllogaritur përfitime më të mëdha për pushtetin e tij personal nëse ndjek skenarin kinez. Keqkuptimi i madh që media dhe kritikët e Ramës kanë për mënyrën sesi ai po e menaxhon epideminë është se ata besojnë se Rama është kapur i papërgatitur dhe po dështon në përmbajtjen e shpërthimit të një pandemie.

Në mesazhet e tij publike ai tregon se është i vetëdijshëm se mbi 80 përqind e të infektuarve nuk kanë shenja të forta dhe nuk kanë nevojë për trajtim spitalor. Gjithashtu, këto mesazhe e thonë qartë se ai e di tashmë se virusi është përhapur dhe ka infektuar një numër më të madh njerëzish nga sa janë statistikat e të testuarve në ISHP.

Që skenari i tij të realizohej, Rama qëllimisht nxori zyrtarë të dorës së dytë të zbusnin presionin publik për marrjen e masave. Qeveria nuk mori masa dhe, rrjedhimisht, virusi hyri në Shqipëri. Deklaratat e zyrtarëve dhe oficerëve të propagandës së regjimit qetësonin shqiptarët se bëhej fjalë për një grip të lehtë me vdekshmëri më të ulët se gripi stinor.

Tashmë që virusi është përhapur në një shkallë që askush nuk e identifikon dot, Rama ka krijuar alibinë që i duhej për të zbatuar modelin kinez: paralizim i të gjithë aktivitetit njerëzor dhe kufizim i lirive bazë, përfshirë lirinë e fjalës.

Në një mesazh të shpërndarë përmes kompanisë celulare Vodafon, Rama paralajmëronte njerëzit që të mos ndiqnin mediat. Ky është një ogur i keq, që parathotë masa drakoniane në kufizimin e lirisë së informimit dhe shprehjes. Askush nuk pret që skandalet apo keqmenaxhimi i pandemisë të bëhen publike nga qeveria. Përkundrazi, janë media dhe opozita ato që e bëjnë këtë.

Me rritjen graduale të numrit të të infektuarve që njofton qeveria, Rama duket se është kthyer të vjelë frytet e skenarit të vet.

Nëse çdo model i menaxhimit të pandemisë në botë synon të zbusë pjerrësinë e kurbës së përhapjes së virusit, regjimi propagandistik i Ramës duket se synon të zbusë kurbën e deklarimeve të rasteve të reja, jo përhapjen reale të sëmundjes. Duke publikuar në mënyrë të kontrolluar rastet e reja me COVID19 dhe duke u mohuar analizat shumë të tjerëve, Rama arrin të kontrollojë proporcionalisht reagimin publik dhe të legjitimojë ashpërsimin gradual të masave për kufizimin e aktivitetit njerëzor.

Shqipëria funksionoi për disa javë si han pa porta për udhëtarët nga Kina dhe Italia dhe aktiviteti ekonomik e shoqëror u zhvillua në intensitetin e zakonshëm.

Çdo përpjekje për të zbatuar modelin koreanojugor tani është e paimagjinueshme. Zbatimi i atij modeli në këto kushte do të kërkonte testimin shtëpi më shtëpi të të gjithë popullsisë, duke nisur nga zonat që dihet se janë prekur nga virusi. Popullsia e paprekur mund të pajisej me certifikatë shëndeti, që do i jepte lirinë e qarkullimit. Familjet e infektuara mund të menaxhoheshin duke përfshirë edhe ushtrinë, siç tashmë qeveria e ka përfshirë në punë më pak të nevojshme.

Duke zgjedhur të mos e zbatojë skenarin koreanojugor, Shqipëria ka humbur dy rezultate të këtij modeli: vdekshmërinë shumë të ulët dhe moscenimin e lirive e vijimin normal të aktivitetit ekonomik.

Tashmë shqiptarët duhet të përgatiten për një përballje më të vështirë me pandeminë. Me sistemin tonë shëndetësor të falimentuar, është e vështirë të parashikosh sesi do ta përballojmë këtë sfidë.

Me shpërdorimin e qëllimshëm të mundësisë për zbatimin e modelit koreanojugor, Edi Rama ka shtruar kushtet ideale për të bërë atë që siç duket ka planifikuar: një paralizim të pashoq të vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një laborator ku lëvizjet dhe veprimtaria komandohet nga qendra. Me mësimet e nxjerra nga pas tërmetit të 26 nëntorit, regjimi do të jetë shumë më i zhdërvjellët në censurimin e medias dhe informimit. Si rrjedhojë, të gjitha liritë do të jenë të abuzueshme dhe të pambrojtshme.

Opozita, shoqëria civile dhe media duhet të jenë shumë të vëmendshme dhe aktive për t’i rezistuar cilësdo etapë të bllokimit të kanaleve të veprimtarisë njerëzore, të cilat regjimi i Ramës do t’i justifikojë me qëllime në dukje të mira. Sepse, në fjalët e njërit ndër etërve themelues të Amerikës, Xhon Adams, “liria që humbasim një herë është liri e humbur përgjithmonë”.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>