Pas mësuesit Harun Çelik, edhe miku i tij Selami Simsek rrezikon të dërgohet në Turqi, pavarësisht se si mbështetës i organizatës së Fetullah Gülen, atje i rrezikohet jeta.
Mediat raportojnë se Simseku është arrestuar në të njëjtën ditë me Harun Çelik në përpjekje për të udhëtuar me vizë false, tranzit, nga Rinasi drejt Kanadasë. Mirëpo çështja e tyre është ndarë.
Çeliku u dënua me 5 muaj burg dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik.
Ndërsa për Simsekun çështja e tij pritet të vendoset më 13 janar.
Avokati i Çelikut, Alban Bengasi thotë se nuk i është komunikuar ende zyrtarisht procedura që ndoqi shteti shqiptar rreth çështjes së Çelikut, dërguar më 1 janar drejt Turqisë. Zoti Bengasi thotë se për këtë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme informacione zyrtare.
Me të mbërritur në Turqi, Harun Çelik u përball me akuzat e pjesëmarrjes në organizatën e Gülen dhe u arrestua.
Mediat turke e raportuan si operacion të shërbimeve sekrete turke, ndërsa deri më sot autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë shpjegim.
Prej 3 vitesh Turqia ndërmerr fushata arrestimesh ndaj çdokujt që ka lidhje me organizatën e Gülenit, ish-aleatit të Presidentit Edrogan, i akuzuar si terrorist dhe si organizator i grushtit të shtetit të vitit 2016.
Udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Gülen, jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.