Autoritetet shëndetësore italiane raportuan 756 viktima të tjera nga koronavirusi të dielën duke e çuar totalin në 10799 të vdekur.
Bilanci i një muaji tragjik mund të rëndohet më tej për faktin se 3 906 persona mbeten në terapi intensive me shëndet të rënduar.
Në përgjithësi ajo që po i shqetëson autoritetet është fakti se të infektuarit po shtohen.
Nga 455 030 persona të testuar deri të dielën, 97 689 janë diagnostikuar me koronavirus, prej të cilëve 13 030 janë shëruar dhe 10 779 kanë vdekur.
Në statistika këto të dhëna nënkuptojnë se 21.4 për qind e personave që testohen, rezultojnë me Covid-19 dhe 13.3 për qind e tyre vdesin – aktualisht vdekshmëria më e lartë në botë.
Tragjedia nuk ka kursyer as stafin mjekësor, ku mbi 6 mijë punonjës të shëndetësisë janë infektuar dhe 51 prej tyre kanë vdekur.
Lombardia mbetet rajoni më i prekur. Rreth 42 për qind e të infektuarve janë prej andej. Atje janë shënuar dhe shumica e vdekjeve – 6 360 ose rreth 60 për qind.
Në rang botëror janë 685 mijë të infektuar, prej të cilëve 32 200 kanë vdekur – me 4.7 për qind vdekshmëri.