Punonjësit e industrive ushtarake në vend do të përfitojnë rreth 2 milionë lekë të vjetra në vit nga skema e re financiare që ka parashikuar qeveria.
Sipas projektligjit të siguruar nga “Euronews”, qeveria ka vendosur trajtim të veçantë financiar për punonjësit, që kanë punuar në disa ndërmarrje ushtarake, gjithmonë në rast se ata do të plotësojnë disa kritere.
Bëhet fjalë për ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh, si dhe Uzinën e Riparimit të Avionëve në Kuçovë.
Sipas relacionit, janë rreth 150 punonjës që kanë afat deri më 1 prill 2021 të aplikojnë për trajtim financiar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Efektet financioare janë llogaritur të jenë 32 milionë lekë çdo vit.
Ky projektligji i propozuar është një vazhdim i politikës së iniciuar në 2004 për të trajtuar në një mënyrë më favorizuese personat e punësuar në një industri, e cila ka operuar në kushte të vështira dhe duke kryer veprimtari me rrezikshmëri dhe ngarkesë të lartë fizike.