Gjatë një muaji, kryeministri Edi Rama ka mbajtur dy fjalime të gjata programore. Një me funksionarët e lartë socialistë në Labinot të Elbasanit dhe një para asamblesë socialiste në Tiranë, ku foli mbi 110 minuta pa ndërprerje.
Në media u komentua shumë ana e bujshme e fjalimeve—pamja, toni i zërit dhe batutat e Ramës—por pak përmbajtja.
Në fakt, në këto dy fjalime kryeministri ofroi një analizë objektive të gjendjes politike të PS-së dhe strategjinë për të marrë një mandat të tretë.
Synimet kryesore të planit të socialistëve janë:
- Mobilizimi i partisë dhe kandidatëve për deputetë;
- Ndërtimi i një ekipi kandidatësh që kënaq partinë dhe elektoratin gri;
- Propozimi i një programi të madh investimesh publike.
Në Labinot, Rama u përqëndrua në mënyrën e mobilizimit të socialistëve, si:
1- Futja e garës mes kandidatëve për deputet;
2- “Spastrimi” i deputetëve që nuk i duhen më;
3- Kandidimi i figurave jo-partiake.
Së pari, futja e garës mes kandidatëve për deputetë duke hapur listat aq sa i duhet—mjaftueshëm për t’i bërë kandidatët të pasigurt dhe të interesuar të punojnë për të tërhequr votues, por jo aq sa të humbte pushtetin e tij për caktimin e fituesve.
Lëvizja e dytë është largimi i atyre që nuk i duhen më, ose që kanë humbur besimin e socialistëve dhe janë kthyer në kosto për PS-në, përmes një vlerësimi me tre faza nga anëtarësia drejt deputetëve.
Me këtë lëvizje, Rama jo vetëm mund të mos kandidojë ata që kanë humbur mbështetjen e anëtarësisë, por duke përfshirë anëtarët në këtë proces, do t’i bëjë ata të ndihen më të pushtetshëm dhe më aktivë në fushatën zgjedhore.
Natyrisht, Rama do ta përdorë vlerësimin për të mos futur në lista ato që nuk do, pa u dukur arbitrar, duke ia veshur largimin e tyre vlerësimit të anëtarësisë.
Lëvizja e tretë taktike është kandidimi i njerëzve nga jashtë partisë.
Tashmë, është bërë një ndodhi e rëndomtë, që para çdo zgjedhjeje, partitë kryesore politike kooptojnë, pra përfshijnë jashtë rregullave, në listat e kandidatëve të ashtuquajturit intelektualë apo profesionistë jo partiakë.
Qëllimi është përmirësimi i imazhit partiak, shpesh i dëmtuar nga korrupsioni apo figurat e vjetra.
Kooptimet kanë qëllim, gjithashtu, krijimin e idesë se partia është e hapur dhe më e aftë për të qeverisur.
Këtë gjë do bëjë në muajt e ardhshëm PS-ja, dhe në fakt edhe PD-ja.
Rama do t’i japë, teorikisht, mundësinë çdo shqiptari të aplikojë për t’u bërë deputet socialist.
Aplikimi do jetë konfidencial, përmes një platforme dixhitale.
Mes aplikantëve, Rama do të zgjedhë disa – dhe do të refuzojë shumë, por ka premtuar se nuk do ua nxjerrë, as emrin dhe as sekretin, atyre që nuk patën fatin të bëhen kandidatë socialistë.
Kjo lëvizje nuk ka të bëjë me hapjen dhe demokracinë: thjesht është një marifet për të ndezur interesin publik.
Ajo që është më e rëndësishme, është se ky mekanizëm i lejon Ramës të fusë në lista kë të dojë, pa u dukur sërish arbitrar.
Duke e përmbledhur planin e Ramës për listat dhe partinë:
- Garë mes kandidatëve për deputetë;
- Heqje nga listat të figurave të konsumuara;
- Kandidimin e njerëzve nga jashtë partisë.