Në takimin mes kryeministrave Hoti dhe Rama, të premten, u diskutua për 3 projekte të përbashkëta mes dy vendeve.
Sipas deklaratave të Ramës e Hotit pas takimit, projektet janë:
– Ngritjen e një pike doganore të Kosovës që në Portin e Durrësit – ku mallrat e destinuara për Kosovën nga pikëpamja juridike të trajtohet si hyrje në Kosovë që kur zbarkohen në Durrës. Kështu do të shmanget zhdoganimi dy herë i mallrave: një herë në Durrës kur hyjnë në Shqipëri dhe një herë në Morinë kur hyjnë në Kosovë.
– Ndërtimin e një HEC-i në Shqipëri për të furnizuar me energji Kosovën.
– Lidhja e dy kryeqyteteve Tiranë-Prishtinë me hekurudhë. Projekti ka kohë që flitet mes dy qeverive, por Rama dhe Hoti shpresojnë që në shtator të nisin gjetjen e fondeve për financimin e projektit.