Tuneli që nuk shkon në Evropë

Nga Carloalberto Rossi
Tuneli që nuk shkon në Evropë

Godina e prokurorisë speciale anti-korrupsion(SPAK), e parashikuar në reformën në drejtësi, e cila duhet të hetojë krimet e korrupsionit të administratës publike dhe të politikanëve, do të vendoset në një godinë afër Drejtorisë së Policisë.

Godina e SPAK dhe ajo e policisë do të lidhen me njëra-tjetrën përmes një tuneli nëntokësor “për të shmangur që lajmet të rrjedhin në publik”. Si alternativë është studiuar edhe një tunel ajror, por versioni nëntokësor u zgjodh si më i sigurtë.

Nëse ju pyesni një shqiptar të thjeshtë se çfarë është një tunel, menjëherë do të fillojë të tregojë për tunelin e Krrabës nga ku u grabit ari i Bankës Kombëtare, ose për tunelin e Malit të Tomorrit i ndërtuar për strehimin e qeverisë komuniste në rast pushtimi, ndërsa më të rinjt për tunelin e Bunkart ose ndonjë instalacion tjetër me qëllim kujtimin e kohës së diktaturës.

Në imagjinatën kolektive shqiptare ekziston edhe fenomeni i kështjellës (ose i pallatit të pushtetit), tërësisht i paaksesueshëm nga jashtë, por i pajisur me një tunel sekret, me një rrugë dalje, apo me një sistem tjetër për të arritur vendin e fortifikuar.

Gjatë viteve 90 populli shqiptar, i sapo çliruar nga komunizmi tregonte për tunelet “përrallore” apo imagjinarë, të cilat që nga Pallati i Kulturës i lejonin pushtetarëve të shkonin deri në Rinas, apo për qytete gjigande nëntokësorë në gjendje të strehonin mijëra persona në rast të ndonjë sulmi nuklear. Të gjithë të rremë dhe vetëm përpjekje të stërmëdha të një propagande të bazuar në injorancë dhe në mister.

Ishte në fakt misteri, sekreti, komploti, që e bënte diktaturën të paarritshme dhe të frikshme. Ishte koncepti i një sistemi të paaksesueshëm nga populli që vendoste fatin e popullit, apo edhe të personave të përveçëm, ai që mbante njerëzit në vendin e tyre, skllëvër të frikës së gjeneruar në mënyrë të mençur nga një person që sundon i vetëm.

Miti i kështjellës me kalim sekret, i pallatit të fortifikuar të pushtetit, i aftë të rrënjosë frikë tek populli, dhe të bëjë të pamundur protestat e vete popullit, në vetvete simbol i supermacisë të një familje mbi pjesën tjetër të popullit, filloi të zhdukej pas mesjetës.

Ky fenomen u zhduk tërësisht kur mbërritën kushtetutat dhe parlamentet për të rregulluar në një mënyrë të re marrëdhënien ndërmjet sunduesit dhe popullit, ndërmjet shtetit dhe qytetarit.

Në Shqipëri në fakt, kjo fazë nuk ka ardhur ende, dhe vetë koncepti i kushtetutës si “ligj thelbësor i shtetit” ende është i panjohur. Provë e kësaj janë “nderhyrjet e shumta” ndaj Kushtetutës, të cilat nuk kanë ngjallur asnjëhere turp politik, duke parë që edhe perceptimi i sinqertë i shtetit dhe i pushtetit, mbetet ai feudal, për të mos thënë tribal — “shefi” zgjidhet në bazë të forcës së tij, aftësisë së tij për të sunduar mbi më të dobtit.

E në fakt pikërisht demagogët e sulltanit aktual, ato që janë të pranishëm në botën perëndimore si interpretues të rilindjes demokratike dhe evropiane, si frut i “shoqërisë civile”, e shohin të natyrshme dhe spontane të kthehen të ndërtojnë frikëra për të nënshtruar popullin.

Pra të propozojnë sërish krijimin e mitit të kështjellës, apo të tunelit që ndalon lajmin mbi korrupsionin të dalin jashtë mureve dhe të përhapet në popull, i cili duhet të ketë frikë dhe të heshtë, përndryshe sulltani do të fillojë të presë koka.

Sipas tyre, drejtësia sekrete, e ushtruar nga pak persona të zgjedhur (ose më mirë të zgjedhur nga shefi) do të integrojë, zëvendësojë dhe zbatojë reformën në drejtësi aq shumë të dashur nga evropa.

Ose për ta shpjeguar më mirë, gjithmonë sipas tyre, frikërat e një pushteti gjyqësor të papenetrueshëm dhe të panjohur nga populli do të nevojiten për të arritur teknikisht kushtet e kërkuara për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Por, nëse përfaqësuesit e ambasadave të huaja të ishin më pak hipokritë ndaj zgjerimit të BE-së, do të shihnin se plotësimi i kushteve teknike nga qeveria shqiptare me këto metoda, është prova e dukshme për mungesën e kushteve politike për anëtarësim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>