Ministri i Jashtëm turk i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të mbyllë institucionet arsimore antiturke në Shqipëri dhe të ekstradojë elementët e organizatës “FETO”, të cilën Turqia e konsideron organizatë terroriste.
Gjatë një deklarate për shtyp të përbashkët mes ministrit të Jashtëm Bushati dhe ministrit turk Mevlűt Çavușoğlű, ky i fundit deklaroi:
“Pas tentativës për grusht shteti, pritshmërinë tonë nga Shqipëria e kemi transmetuar dhe përcjellë në mënyrë të qartë të gjitha kërkesat, hapat që duhen hedhur për eliminimin e FETO-s këtu. E dimë që këtu ka elementë të FETOs dhe presim diçka nga Shqipëria mike. Presim që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri. Gjithashtu janë dhe personat që kërkojmë ekstradimin e tyre. Kjo është pritshmëria jona.”
Ministri turk bëri të ditur gjithashtu ndikimi turk në fushën e edukimit në Shqipëri do të vazhdojë. Ai tha se fondacioni turk Maarif që ka marrë përsipër disa nga institucionet shqiptare të arsimit turk në Shqipëri, mund të ndërtojë dhe shkolla të reja:
“Fondacioni Maarif, meqë pa rrezikun e FETO-s, ka marrë shumë shkolla në vende të ndryshme. Ose do të marrë shkollat ekzistuese ose në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit do të hapë shkollat e veta.”
Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare ishte ndër të parat që u solidarizua me Presidentin Erdogan dhe Turqinë pas grushtit të shtetit në korrik 2016. Presidenti Erdogan fajësoi predikuesin Gylen dhe organizatën e tij FETO si organizator të grushtit të dështuar të shtetit, edhe pse ende nuk ka ofruar të qarta për këtë lidhje.
Për këtë arsye, në nëntor 2016, në nëntor 2016, Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi kërkesën e Ambasadës turke për ndalimin në institucionet arsimore jopublike në Shqipëri përdorimin e emërtimeve dhe simboleve turke. Kërkesa e ambasadës kishte në shënjestër rrjetin e kolegjeve turke në Shqipëri të cilat janë nën pronësinë e organizatës Feto.
Ndërsa pak muaj më parë, Kryeministri Rama deklaroi se njerëzit në Shqipëri, të cilët dyshohen si të lidhur me FETO-n mbahen nën vëzhgim.