A do të ndikojnë në votime urbanizimi dhe rritja e popullsisë? – Exit shpjegon

A do të ndikojnë në votime urbanizimi dhe rritja e popullsisë? – Exit shpjegon

Të dhënat e popullsisë nga INSTAT tregojnë se votuesit e vitit 2017 janë ndjeshëm më të rinj dhe i përkasin më shumë pjesës urbane, krahasuar me votuesit e vitit 2013. Po ashtu, ka pasur një rritje të grupmoshës 55-69 vjeç, ndoshta si pasojë e rikthimit të emigrantëve në atdhe.

Rritja e popullsisë nga viti 2013 në 2017-ën sipas grupmoshave – Të dhënat INSTAT

Në total janë 38,200 votues të rinj të grupmoshës 25-34 vjeç dhe 71,027 votues të grupmoshës 55 deri në 69 vjeç. Partitë politike kanë reaguar ndryshe ndaj sfidës për të përfaqësuar këto ndryshime të popullsisë në listat e tyre të kandidatëve.

Kandidatët në listat për deputet sipas grupmoshave – Të dhënat KQZ

Dy partitë e mëdha, PD e veçanërisht PS, kanë pjesën më të madhe të kandidatëve të tyre në grupmoshën 41-50 vjeç, dhe relativisht më pak kandidatë të rinj. LSI dhe LIBRA, nga ana tjetër, po synojnë një grupmoshë më të re të votuesve, ç’ka pasqyrohet dhe në listat e kandidatëve. Veçanërisht LSI, gjatë fushatës elektorale e ka vënë shpesh herë theksin tek nevoja për të integruar të rinjtë në politikë.

Partia Republikane ka paraqitur përpara votuesve një listë me gati 75 për qind të kandidatëve nën 30 vjeç. Gjithsesi duke qenë se kreu i partisë Fatmir Mediua është pjesë e listave të PD-së dhe PR nuk do të bëjë fushatë elektorale veçmas PD-së, mundësia që PR të fitojnë mandat më vetë duket e ulët. Mandati që PR ka aktualisht në kuvend u fitua në vitin 2013 nga Agron Duka, që më pas u bë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe që njësoj si Mediu, është pjesë e listave të PD-së.

Një tjetër zhvillim me ndikim në elektorat është urbanizimi i vazhdueshëm i popullsisë.

Rritja e popullsisë nga viti 2013 në 2017-ën sipas qarqeve – Të dhënat INSTAT

Të dhënat nga INSTAT tegojnë qartë rritjen e popullsisë në Tiranë me rreth 65 mijë banorë nga viti 2013 në vitin 2017. Rritje të popullsisë ka dhe në zonët urbane të Durrësit dhe Vlorës, ndërsa në pothuaj gjithë rajonet e tjera numri i popullsisë, krahasuar me vitin 2013, ka pësuar rënie. Këto ndryshime janë reflektuar dhe në shpërndarjen e 140 mandateve në 12 qarqet e vendit, ku Tirana ka sot 2 mandate më tepër se në vitin 2013. Duke qenë dhe se Tirana ka pjesën më të konsiderueshme të banorëve, kjo bën që rezulati i partive politike në Tiranë të jetë treguesi më i rëndësishëm për pjesën tjetër të vendit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>