Vendimi i Bashkisë Tiranë për të detyruar heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve ka shqetësuar banorët e ndërtesave të vjetra në kryeqytet, të cilat nuk kanë administratorë dhe ambiente nën tokë për vendosjen e tyre.
Prej vitesh mungesa me furnizim të rregullt me ujë ka bërë që qytetarët të vendosin depozita. Mirëpo situata e tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit nxori në pah dëmet që ato mund t’i sillnin strukturës së tarracës së pallateve.
Për të shmangur situata të ngjashme Bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve që deri më 30 janar të heqin depozitat e ujit nga tarracat. Bashkia propagandon prej kohësh se e ka zgjidhur problemin e furnizimit, por rritja e çmimit dhe dhjetëra milionë euro kredi nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara për ujë 24 orë.
Sidoqoftë Bashkia mbetet e vendosur në afatin që ka caktuar. Pas 30 janarit ajo ka paralajmëruar heqjen e depozitave nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe policia bashkiake. Bashkia thotë se do të lejojë depozita në tarraca vetëm nëse ato shoqërohen me një raport nga ekspertë ndërtimi. Raporti duhet të vërtetojë se struktura mbajtëse e lejon vendosjen e tyre. Ai duhet dorëzuar në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë.
Banorët e pallateve të reja, të cilat kanë ambiente nëntokë, kanë parë si zgjidhje vendosja e depozitave të përbashkëta në garazhde. Ndërsa ata që jetojnë në pallate të vjetra dhe që nuk kanë këto hapësira në dispozicion si zgjidhje kanë vetëm shpresën që konsultimi me ekspertë t’u garantojë që struktura e tarracës mund t’i mbajë ato.
Një depozitë uji kushton rreth 20,000 lekë dhe deri më sot u ka garantuar shumicës së banorëve furnizim të kënaqshëm me ujë për nevoja bazike. Heqja apo dhe rivendosja diku tjetër e tyre është një kosto e cila do t’u faturohet qytetarëve.
Ndërsa në disa zona të Tiranës uji i pijshëm vazhdohet të blihet për shkak të cilësisë, çështja e depozitave duket se do të nxjerrë edhe më shumë në pah problemin e furnizimit.