Një kompani printimi 3D në Itali po ndihmon spitalet e veriut duke riprodhuar valvulat e respiratorëve me kosto 1 euro copa.
Pak ditë më parë kompania Isinnova – me vetëm 14 punëtorë – riprodhoi mbi 100 valvula brenda 24 orëve duke i ardhur në ndihmë urgjente një spitali në Lombardi, e cila i vuri menjëherë në punë për rreth 20 pacientë që kishin nevojë.
Lajmi ka ngjallur simpati dhe frymëzim për zgjidhje të ngjashme alternative edhe në spitalet e tjera.
Spitali i Chiarit në Brescia kishte 250 pacientë, të cilët kërkonin kujdes të shtuar shëndetësor, pasi koronavirusi u kishte ndërlikuar rëndë frymëmarrjen.
Për pacientë në të tillë gjendje nevojitet frymëmarrje e drejtuar me respiratorë. Aparatura kërkon valvula njëpërdorimshe të cilat ndërlidhin me tuba aparaturën dhe maskën e oksigjenit.
Nga rastet e shumta spitali nuk kishte më rezerva valulash dhe për shkak të kufizimit të lëvizjeve furnizimi me import nga jashtë do të vononte me ditë.
Me t’u dhënë lajmi për gjendjen e tillë, kompania FabLab e specializuar në fabrikim digjital ofroi si zgjidhje riprodhimin me printim 3D të valvulave.
FabLab u lidh me kompaninë lokale në Brescia, Isinnova dhe nisi menjëherë prodhimin e 100 valvulave – me rendiment 1 valvul në 6 orë punë dhe kosto 1 dollarë.
Ata bënë gjithçka falas dhe në mënyrë vullnetare, ndërsa pas dërgesës së parë valvulat u vunë menjëherë në punë për respiratorët e 10 pacientëve.
Në një postim të bërë së fundmi, një tjetër spital në Lombardi ka kërkuar materiale të tilla dhe grupi po punon për t’u ardhur në ndihmë me 50 riprodhime të ngjashme.
Në rrjet ka pasur raportime se grupi i vullnetarëve është paditur nga kompania furnitore, e cila i prodhon valvulat me kosto rreth 10 mijë dollarë, por lajmi u përgënjeshtrua nga një prej stafit të Isinnova, i cili u shpreh se ka pasur vetëm refuzim të kompanisë për të mundësuar të dhënat e dizenjimit të valvulave me pretendimin se ato janë pronë e kompanisë.
Në Itali numërohen rreth 36 mijë të infektuar me koronavirus. Lombardia është rajoni më i prekur. Të mërkurën atje u shënuan 319 viktima.
Në total, numri i të vdekurve në Itali ka vajtur rreth 3 000. 1 959 janë shënuar në Lombardi.