Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Rama se në 7 vite qeverisje nuk ka bërë asnjë reformë dhe asnjë përmirësim për jetën e shqiptarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Vasili shprehet se ‘Edi Rama është shëmbëlltyra e asgjësë’.
Vasili listoi si dështim të gjithë reformat e trumpetuara si suksese nga qeveria Rama:
– Reforma administrative dështim i frikshëm me dëme financiare të pallogaritshme;
– Reforma në drejtësi më shumë se dështim, thjesht kapje e drejtesisë, dekapitim i saj dhe kolapsi i plotë i sistemit;
– Shëndetësia një dështim i tmerrshëm, pandemia i vuri vulën;
– Arsimi, një dështim pa koment sepse kriza në arsim ulërin;
– Infrastruktura, pa asnjë diskutim një dështim, u bënë nja 22 km rruge me projekte të gjetura gati dhe qindra kilometra rruge imagjinare me koncesione miliardere;
– Politikat financiare të dështuara që katandisen tek aministia për të shplarë paratë e krimit, politika financiare për oligarkë sa gishtat e dorës.
Sipas Vasilit, e gjitha ajo që Rama po lë pas është dështim dhe miliarda euro borxhe në kurriz të shqiptarëve dhe se për këtë gjë duhet ndëshkuar dhe larguar nga pushteti.