Nënkryetari i LSI Petrit Vasili i ka cilësuar si politike vendimet e Komitetit Teknik mbi masat shtrënguese kundër COVID-19.
Sipas tij “çdo lloj mase shtrënguese e tyre është provë e paaftësisë dhe provë e mëtejshme që ata çdo përgjegjësi ua hedhin të tjerëve dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi për veten e tyre”.
Për Komitetin Teknik ai ka thënë se është kthyer në një “komitet politik”.
Ai ka akuzuar Komitetin se ka bërë që “të arrijë në këto shifra kritike dhe alarmante, të cilat ishin paralajmëruar në mënyrë sistematike për muaj e muaj me radhë nga opozita”.
Vasili akuzoi të mërkurën qeverinë se ka gënjyer për shifrat e infektimeve. Sipas tij të martën nuk ka pasur ulje të rasteve, sikurse tha ministria, por të testimeve.
“ U thanë qytetarëve që është rritur aksesi 14 për qind për vizitat në kujdesin shëndetësor parësor. Duke iu referuar po vetë shifrave të tyre, gënjejnë kaq pa cipë saqë vënë edhe tabela. Vizitat na 6 milion e 200 mijë kanë vajtur në 6 milion e 400 mijë dhe ju e shikoni më së miri që rritja është vetëm 2.9 për qind”, tha Vasili në një deklaratë për mediat të mërkurën.
Që prej ditës së enjte, 11 shkurt deri më 26 shkurt, qytetarët nuk mund të dalin nga shtëpia pas orës 2o:00, njoftoi Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu
Masat e reja u vendosët për shkak të rritjes së numrit të infektimeve, të viktimave dhe të sëmurëve të rëndë në mosha të reja.