Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili deklaroi se ndërmarrjet e fasonerisë kanë humbur mbi 20 mijë vende pune për shkak të pandemisë.
Gjatë një deklarate për shtyp, Vasili u shpreh se ky sektor nuk mori mbështetjen e merituar nga qeveria dhe pse është sektor që ka punësuar mijëra qytetarë.
Ai u shpreh se programi i LSI-së ka pika konkrete në lidhje me mbështetjen e këtij sektori.
Sipas tij programi përmban:
- Ristrukturimin e fazuar të industrisë fason sipas kërkesave të tregut vendas dhe konjukturave të reja të tregut ndërkombëtar. (Investime në teknologji, në prodhim imputesh, knoë-hoë), duke akorduar një mbështetje dhe një subvencion prej 30 milionë euro në 2 vitet e para, si një masë emergjente, e drejtpërdrejtë.
- Mbështetjen e industrisë fason për të kaluar në produktin e integruar Made in Albania. (Dizajn, brande, marketing, promocion produkti dhe panaire, certifikime dhe mbështetje institucionale), e cila kërkon një mbështetje prej 20 milionë euro të shpërndarë në katër vjet, e cila krijon një boom të jashtëzakonshëm të ri të kësaj industrie.
- Mbështetjen tek prodhimi vendas duke konsumuar produkte vendase fillimisht entet publike që prokurojnë veshje dhe këpucë.
- Mbështetjen me grande e fonde të Bashkimit Evropian, në bazë të projekteve, duke përdorur një analogji mënyre të zhvillimit të tyre, ashtu sikurse funksionon sot AZHBR-ja, duke përdorur pra praktikat më të suksesshme, më të shpejta dhe më të drejtpërdrejta.
- Heqjen dhe lehtësimin e barrierave doganore për lëndët e para, për prodhimet e destinuara për tregun vendas.
- Krijimin e instrumentit garantues dhe realizues për këtë qëllim dhe për të gjithë këtë veprimtari që do ishte Agjencia e Industrisë veshje-këpucë. Agjenci kjo e veçantë, operative, për implementimin dhe monitorimin shumë të kujdesshëm dhe efektiv të këtij programi.
“25 Prilli do të jetë mundësia reale, e vërtetë që ky sektor të dalë nga errësira dhe të ecë përpara ashtu sikurse i takon dhe sikurse janë mundësitë shumë të mëdha të tij për ti ardhur në ndihmë mijëra shqiptarëve, por edhe ekonomisë së vendit.” përfundoi ai.