Vatë Staka, anëtari i KLP-së po hetohet nga prokuroria

Vatë Staka, anëtari i KLP-së po hetohet nga prokuroria

Vatë Staka, prokurori i Shkodrës dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, po hetohet nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të zhdukjes së fashikujve hetimorë për një çështje në vitin 2016.

Media të shumta kanë raportuar se Vatë Staka është prokuror i afërt më kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku, – pasi kanë punuar së bashku në Prokurorinë Shkodër, – dhe se kjo e fundit e ka mbështetur për të qenë pjesë e KLP-së, megjithëse ndaj tij ka hetim penal ende në vazhdim.

Vetingu dhe hetimet për prokurorin Stakaj

Prokurori Staka zhvilloi seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 25 qershor 2018 dhe u konfirmua në detyrë më 3 korrik 2019.

Më 19 korrik 2018, në disa media u publikua një denoncim nga një qytetar se prokurori ka falsifikuar afatet hetimore për një çështje që ishte nën hetim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjatë procesit të vetingut.

Denoncuesi deklaroi për Shqiptarja.com se prokurori Staka “ka ndërruar pothuaj të gjithë aktet e dosjeve që do të ishin objekt hetimit para se të merreshin fizikisht nga ana e anëtarëve të KPK-së, pasi ose kanë qenë me shkelje proceduriale ose nuk kanë qenë fare në dosje”.

Bazuar në këto deklarata, BIRN kërkoi informacion nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila u përgjigj se ndaj zotit Staka nuk ishte filluar një procedim disiplinor, por se është bërë verifikimi i një ankese të bërë nga një gazetar. Pas verifikimit të ankesës, dosja i kishte kaluar Prokurorisë së Shkodrës.

Pyetur sërish nga BIRN, Prokuroria e Shkodrës tha se prokurori Staka po hetohet ende për veprën penale “Zhdukja ose humbja e fashikullit” e parashikuar nga neni 313/a të Kodit Penal.

Zgjedhja e Vatë Stakës si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Në nëntor 2018, kur të gjithë kandidatët për KLP, kishin kaluar fazën e parë të vetingut, Kryeprokurorja Arta Marku nisi procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së.

Vatë Staka kandidonte për një nga vendet e rezervuara për prokurorët në prokuroritë e rretheve. Kandidatët e tjerë për këtë kategori ishin Besnik Cani, Gentian Osmani, Besnik Muçi, Dritan Prençi dhe Antoneta Sevdari.

Më 11 dhjetor 2018, Kryeprokurorja Arta Marku organizoi Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve për zgjedhjen e gjashtë anëtarët e KLP-së.

Për vendet e rezervuara për prokurorët e rretheve nga kandidatët u përzgjodhën me votim Gentian Osmani, Antoneta Sevdari dhe Besnik Cani.

Më 28 shkurt 2019, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Antoneta Sevdarin, duke krijuar një vend bosh në KLP.

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku hapi thirrjen për aplikim për prokurorët nga rrethet. Vatë Staka ishte i vetmi kandidat që dorëzoi dokumentet.

Njëkohësisht me kandidimin për në KLP, Vatë Staka kandidoi dhe për të qenë pjesë e SPAK-ut, gara për të cilin u mbyll më 25 mars.

Më 11 prill 2019, kryeprokurorja e përkohshme Arta marku thirri mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve me 229 prokurorë të pranishëm,  ku do të votohej për kandidimin e Stakës për vendin e mbetur bosh në KLP.

Gjatë seancës, prokurori i Tiranës Sokol Malaj, në emër të 45 prokurorëve, kundërshtoi mungesën e garës dhe kërkoi që në mungesë të më shumë se një konkurrenti, zgjedhja të kryhej me 50+1 përqind të votave. Për këtë, Malaj dhe prokurorët e tjerë kërkuan ndryshimin e nenit 18 të rregullores.

Kjo kërkesë nuk u pranua nga Arta Marku, e cila vendosi të vazhdojë me votimin për Stakën.

Staka u votua si anëtar i KLP-së me 135 vota pro, 81 vota të pavlefshme dhe 13 prokurorë që nuk morën pjesë në votim.

Në mbledhjen e radhës së KLP-së, mbajtur më 15 prill, me 6 vota pro, nga 10 anëtarë, KLP vendosi të mos pranojë në mbledhje Vatë Stakën. Sipas KLP-së, largimi i Vate Stakës nga mbedhja u bë për faktin se duhet pritur pasi mund të ketë ankimime në lidhje me zgjedhjen e tij.

Në mbledhjet e tjera, prokurori Staka ka qenë i pranishëm. Madje në mbledhjen e 25 prillit, ai njoftoi heqjen dorë nga gara për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>