Vdekja e Ardit Gjoklajt: Gjykata akuza Prokurorisë për hetime ‘selektive’

Nga Lindita Çela
Vdekja e Ardit Gjoklajt: Gjykata akuza Prokurorisë për hetime ‘selektive’

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës për vdekjen Ardit Gjoklajt në landfillin e kryeqytetit nuk e kanë impresionuar Gjykatën e Tiranës, e cila i ka hedhur poshtë akuzat ndaj 2 punonjësve të kompanisë së riciklimit me argumentin se nuk janë kryer hetime të thella.

Me 17 prill, Gjykata e Tiranës i rrëzoi akuzat e Prokurorisë kundër dy ish-punonjësve të kompanisë së riciklimit ‘3R’ – Edmond Kallari dhe Dëfrim Hakrama, të cilët akuzoheshin për shkeljen e rregullave në punë gjatë aksidentit tragjik që i shkaktoi vdekjen Ardit Gjoklajt në 7 gusht 2016.

Edmond Kallari u gjet fajtor për drejtimin e një fadrome pa ‘leje drejtimi’ dhe u dënua me 2 vjet heqje lirie; por për shkak se masa e dënimit kishte filluar një ditë pas aksidentit në landfillin e Sharrës, gjykata urdhëroi limirin e menjëhershëm për të dy të pandehurit.

Hakrama dhe Kallari, të cilët punonin respektivisht si përgjegjës turni dhe fadromist për kompaninë e riciklimit ‘3R’ ishin dy të akuzuarit e vetëm për vdekjen 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë – një kantier që ishte promovuar si i sigurtë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në vendimin e zbardhur, një kopje e së cilit është siguruar nga BIRN,  trupa gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Gerd Hoxha, me anëtarë Petrit Çomo dhe Arben Micka e ka akuzuar Prokurorinë e Tiranës për hetime të paplota dhe selektive, duke theksuar se hetuesit nuk kanë arritur as të zbardhin saktësisht dinamikën e ngjarjes.

I pyetur nga BIRN mbi vendimin e gjykatës, prokurori i çështjes Julian Zonja u shpreh se nuk e kishte marrë ende të zbardhur arsyetimin e vendimit, por e kishte apeluar atë. Ai shtoi se hetimet vazhdonin për përgjegjësitë e kompanisë ‘3R’, por ato ishin mbyllur për bashkinë e Tiranës.

Hetime selektive

Erion Veliaj gjatë një vizite në impiantin e kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës | Foto nga : Bashkia Tiranë

Landfilli i Sharrës është nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Por në shkurt 2016, kompania ‘3R’ shpk me seli në Peqin instaloi një impiant për seleksionimin dhe menaxhimin e mbetjeve në landfill.

Para vdekjes tragjike të Ardit Gjoklajt, impianti i kompanisë ‘3R’ shpk në Sharrë u vizitua dy herë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill, të transmetuar me datë 16 qershor 2016, Veliaj lançoi planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që siguronin bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me “sigurime shoqërore”.

Ftesa e Veliajt  shërbeu si nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania ‘3R’ shpk. Në të kundërt, asnjë prej standardeve të premtuara nga kryebashkiaku nuk u aplikua gjatë procesit të punës.

Trupi i pajetë i 17 vjeçarit, i cili punonte si punëtor lopate në turnin e natës në kapanonin e ricklimit të kompanisë ‘3R’ u zbulua me 7 gusht 2016 në sheshin e grumbullimit të mbeturinave të ricikilimit. Një ditë më pas, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 4 personave si të dyshuar në ngjarjen që i mori jetën 17 vjeçarit.

Përveç fadromistit Edmond Kallari dhe përgjegjësit të turnit, Dëfrim Hakrama, policia  arrestoi dhe 53-vjeçarin Besnik Braha –  me detyrë përgjegjës firme si dhe 45 vjeçarin Bujar Daja – përgjegjës i punonjësve në landfill. Policia gjithashtu shpalli në kërkim pronarin e kompanisë ‘3R’, Edurim Teqja.

Megjithatë, pak muaj më vonë Prokuroria e Tiranës i pushoi hetimet  ndaj Brahas dhe Dajës, ndërkohë Teqja nuk u procedua penalisht.  Shmangia nga hetimi i drejtuesve të kompanisë nga Prokuroria është cilësuar si vendim selektiv nga ana e gjykatës.

Gjykata thotë se me 3 shkurt  2017, Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet ndaj Besnik Brahas duke argumentuar se ai nuk kishte detyrë kontrollin e respektimit të rregullave të sigurimit teknik që kishin të bënin me punën në landfill.

“I njëjti argument duhet të shërbente edhe për Dëfrim Hakramën, i cili rezulton të ishte pa një kontratë pune dhe jo i ngarkuar nga kompania si përgjegjës teknik,” shprehet gjykata në vendim.

I pyetur nga BIRN, prokurori Julian Zonja tha se vendosi pushimin e hetimeve ndaj drejtuesit teknik të kompanisë “3R”,  pasi nuk kishte asnjë dokument që e vërtetonte  pozicionin e tij të punës, por ai shtoi se hetimet për  kompaninë ende vijojnë.

“Unë nuk sigurova asnjë dokument që të vërtetonin se Besnik Braha ishte drejtues teknik. Ai ishte aty miqësisht për shkak të lidhjeve që kishte,” tha Zonja.

“Nuk e vërtetonim dot punësimin e tij ndaj dhe u pushua çështja në ngarkim të tij. Por ne po vijojmë hetimet ndaj përgjegjësive që kompania “3R”  kishte në landfill,” shtoi ai.

Vdekje pa autor

Për sa i përket rolit të fadromistit Kallari, Gjykata e Tiranës gjithashtu shprehet në vendimin e saj se jo vetëm prokuroria ka dështuar të provojë që ai është përgjegjës për vdekjen e Gjoklajt, po aq më tepër prokuroria ka qenë e paaftë të përcaktojë mekanizmin e ngjarjes.

Duke iu referuar provave  të servirura gjatë procesit gjyqësor – si dëshmitë e punëtorëve, pamjet filmike dhe akteve të ekspertimit, gjykata thotë se nuk vërtetohet që fadromisti  të jetë autori i vrasjes 17 vjeçarit.

“Edhe po t’i qëndrojmë pretendimit absurd të organit të akuzës se nuk është parë nga dëshmitarët, do të ishte kapur nga kamerat e sigurisë. E vërteta është se i akuzuari nuk ka punuar dhe nuk është afruar me mjetin e tij në vendin në të cilën është gjetur viktima,” shkruhet në vendim.

Gjykata në vendim e fshikullon prokurorinë se nuk ka bërë hetime të thellura për të zbardhur të vërtetën.

“Faktet duhet të kishin shkundur policinë dhe prokurorinë për të kryer hetime të thella dhe të specializuara  me të gjitha metodat dhe format e lejuara ligjore,” shprehet trupa gjykuese.

I pyetur nga BIRN, prokurori Zonja u shpreh se edhe pse provat për vekjen e Ardit Gjoklajt janë rrethanore, ato janë të mjaftueshme për vërtetimin e akuzave.

“Ne e dinim që nuk ishte e saktë koha dhe vendi i ngjarjeve, si dhe provat që kishim ishin rrethanore, por referuar  deklarimeve është shumë e sigurt që viktima ka gjetur vdekjen në landfill,” tha ai.

“Është e vërtetë që provat shkencore nuk vërtetuan që vendi i ngjarjes të jetë pikërisht  vendi ku u gjet viktima… por nisur nga indiciet dhe të dhënat rrethanore ne kemi bindjen se të akuzuarit janë përgjegjës për vdekjen e 17 vjeçarit,” shtoi Zonja.

Prokurori gjithashtu i tha BIRN  se po vijojnë hetimet për përgjegjësitë e kompanisë  ‘3R’ në këtë ngjarje, por sa i përket bashkisë së Tiranës hetimet janë mbyllur.

“Ne po hetojmë përgjegjësitë që kompania kishte në zbatimin e kushteve të sigurisë teknike për punonjësit  e saj në landfillin e Sharrës.  Shpresojmë që shumë shpejt çështjen do ta çojmë në gjykatë,” tha Zonja.

“Bashkia e Tiranës kishte një kontratë që i kalonte përgjegjësitë  kompanisë “3R”,  kështu që deri më tani nuk na kanë dalë prova për implikimin e  bashkisë,” përfundoi ai.


Ky artikull më parë u publikua tek Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>