Vdekja e tre anëtarëve të familjes Haliti, çfarë dimë deri tani

Nga Exit News
Vdekja e tre anëtarëve të familjes Haliti, çfarë dimë deri tani

Tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani humbën jetën në QSUT në Tiranë, pasi prej 3 ditësh gjendja e tyre shëndetësore ishte rënduar si pasojë e një helmimi të dyshuar.

Afrim Haliti, bashkëshortja e tij Ferizane dhe e ëma Elfete kanë qenë në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit për të pushuar gjatë kësaj jave.

Të mërkurën (5 maj) ata dyshohet se kanë konsumuar kërpudha helmuese.

Pasi i janë shfaqur simptomat e para të helmimit, të tre familjarët kanë shkuar në qendrën shëndetësore në Manzë ku sipas mjekëve janë trajtuar me serum dhe vitamina.

Më pas ata janë larguar sërish për në banesën e tyre. Sipas djalit të familjes, në momentin që ata janë larguar kanë qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Ndërsa një mjek i qendrës shëndetësore është shprehur se ata nuk kanë thënë se kanë konsumuar kërpudha dhe kur janë larguar kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Situata e të tre personave është përkeqësuar në orët në vijim dhe ata janë dërguar drejt spitalit të Durrësit dhe më pas në QSUT në Tiranë.

Sipas një prononcimi të QSUT për Report TV, të tre viktimat janë paraqitur në spital të enjten (6 maj) në gjendje të rëndë si pasojë e helmimit nga kërpudha.

Në deklaratën për media, djali i familjes është shprehur se mjekët në Tiranë i kanë thënë se prindërit e tij dhe gjyshja janë sjellë me vonesë në spital pasi kanë kaluar 24 orë nga helmimi.

Në prononcimin e QSUT thuhet të tre pacientët kanë ndërruar jetë me diferencë 24 orë nga njëri tjetri.

Në 6 maj ka ndërruar jetë 78-vjeçarja Elfete Haliti, më 7 maj Afrim Haliti dhe më 8 maj Ferizane Haliti.

Ende nuk është bërë ekspertiza mjeko-ligjore e tre viktimave për të përcaktuar përfundimisht shkakun e vdekjes së tyre.

Familjarët kanë akuzuar shërbimin mjekësor në Manzë për neglizhencë. Ata kanë njoftuar se ka ngordhur edhe qeni që ishte me viktimat në Gjirin e Lalzit. Kjo i ka shtuar atyre dyshimet pasi ata pretendojnë që ai kishte ushqimin e vet dhe nuk konsumon kërpudha.

Prokuroria po heton dy mjekë të qendrës shëndetësore në Manzë për akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>