Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj akuzoi sërish kreun e PD-së, Lulzim Basha se kërkon të ndërtojë pesë vila ndërkohë qe njerëzit janë pa shtëpi për shkak të tërmetit.
Gjatë një vizite te tre familje në Lundër, Veliaj u shpreh se nuk do të japë lejen për vilën e pestë pasi nuk është halli i tij.
“Ju më pyetët për vilën e pestë të Lulit, në anën tjetër të kodrës, ku jetojnë milionerët. Por, ata nuk janë halli ynë, vila e 5-të le të presë! Të mbarojë njëherë rindërtimi i të gjitha shtëpive të tërmetit, pastaj vila e pestë e Lulit sepse ai ka ku fle! Puna është të rregullojmë shtëpitë e atyre që nuk kanë ku rrinë.”
Të premten, Erion Isufi, kunati i kreut të PD-së, Lulzim Basha ka kallëzuar në SPAK, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Isufi e akuzon Veliajn për shpifje, pasi ky i fundit deklaroi se Isufi kishte aplikuar për leje ndërtimi të një vile në Bashki.
Ai gjithashtu e akuzon Veliajn se po shpif në lidhje me ekzistencën e 4 vilave.
Veliaj në një takim me banorët e një njësie në Tiranë deklaroi:
“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një kontejneri për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë!”