Veliaj: Asnjë leje nuk është ndikuar nga grupe të lidhura me biznese të paverifikueshme

Nga Exit News
Veliaj: Asnjë leje nuk është ndikuar nga grupe të lidhura me biznese të paverifikueshme

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se asnjë leje ndërtimi nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverfikueshme dhe i bën thirrje prokurorisë të hetojë personat që flasin në emër të Bashkisë lidhur me skemën e pastrimit të parave të mafias italiane në Shqipëri.

Në reagimin e tij të dytë për këtë ngjarje, kësaj here nga llogaria e tij në Facebook, Veliaj thotë se nuk ndalon dot dëshirat e mafias italiane por veprimet konkrete.

“Kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete!”

Më tej Veliaj ka sulmuar Partinë Demokratike dhe ish-deputeten Grida Duma e cila në një konferencë për shtyp kërkoi nga SPAK të nisë sa më parë hetimet për lidhjet e Bashkisë Tiranë dhe qeverisë Rama me anëtarët e mafies italiane.

“E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes. I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë cilindo që tenton të flasë në emër të Bashkisë së Tiranës apo të çdo institucioni tjetër lidhur me histori të tilla. Ndërkohë, Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të rradhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia!”.

Më herët Veliaj i quajti “çudira fushate” përgjimet e dala nga antimafia italiane.

Ai është i vetmi zyrtar që ka reaguar deri tani për këtë çështje.

Për të lexuar më shumë për përgjimet e grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, ku dolën në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama, klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>