Me lejen e Kryebashkiakut Veliaj, një pallat shumëkatësh ka nisur të ndërtohet në një prej pak zonave të vjetra të mbetura në Tiranë.
Në rrugicat e ngushta pas Ministrisë së Arsimit, ka nisur të ndërtohet një pallat 9 katësh, edhe pse për këtë zonë Erion Veliaj premtoi se do i ruante vlerat duke e rikonstruktuar, njësoj si zonën e Pazarit të Ri.
Gjatë inagurimit të Pazarit të Ri më 14 mars 2017, Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi:
“Kemi në plan projekte të tjera për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Një nga këto është edhe hapësira që ndodhet mbas Ministrisë së Arsimit. Rruga Konturani, gjithë ai trekëndësh do të jetë zona e dytë ku ne do të nisim bashkëpunimin.”
Por vetëm një muaj më vonë, më 19 prill 2017, Erion Veliaj ndryshoi planin, dhe dha lejen e ndëtimit për kompaninë “Keam Construction”.
Duket se videot ku Erion Veliaj shfaqet duke mbjellë pemë çdo ditë dhe duke akuzuar ata që refuzojnë të paguajnë ekstra për “nismat vullnetare” të Bashkisë, janë vetëm fasadë për lejet e ndërtimit që jepen pa limit.