
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është siguruar që mëngjesin e së shtunës, Tirana të mos ketë asnjë shenjë të protestës që u zhvillua mbrëmjen e sotme për vrasjen e Klodian Rashës.
Ende pa u mbyllur protesta, kryebashkiaku ka nxjerrë në punë punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit për të pastruar rrugët ku u përballën protestuesit me policët.
Në shenjë revolte për vrasjen e Klodian Rashës nga policia, protestuesit dogjën dhe përmbysën disa kazanë mbeturinash.
Policia i shpërndau ata me gaz lotsjellës, spraj djegës dhe ujë me presion.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia ngjalli zemërim dhe protesta në disa qytete të vendit.
Të enjten ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen por protestat nuk u ndalën.
Protestuesit tani kërkojnë edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu por kryeministri Rama ka deklaruar se kjo nuk do të ndodhë.