Kryebashkiaku Erion Veliaj ka akuzuar PD-në e LSI-në se i përdorin të rinjtë si mish për top për interesat e tyre, ndërsa vetë ‘janë duke ngrënë dreka e darka luksoze’.
Gjatë një takimi elektoral me të rinjtë socialistë, Veliaj tha se PS është e vetmja forcë në vend që i ka ndihmuar të rinjtë e saj të ecin përpara në karrierë:
“PS nuk do te jetë kurrë një parti që do i çojë njerëzit mish për top. Për çfarë? Për të bllokuar lodrat tek liqeni.
U thonë: “hajde bllokojmë Astirin”, “shqyhemi me policinë”, kurse shefat janë duke ngrënë dreka e darka luksoze.
Ti mund të kesh ambicie të pish një birrë falas më një parti në Jalë, por unë besoj se njeriu duhet të ketë një ambicie shumë herë më të lartë.
Ndërkohë, ambicia që ka ky forum [i PS-së] është një ambicie tashmë e realizuar. Një pjesë janë deputetë, këshilltarë bashkiakë, një pjesë kanë marrë drejtimin në njësi dhe besoj që duhet të flasim për këtë ambicie që mund të realizohet në Partinë Socialiste.”
Veliaj përsëriti për të disatën herë se të rinjtë e të rejat pranë opozitës kanë më shumë të ngjashme me PS-në se sa me PD-në, pasi kreu i PD-së vë gjoba e ka vila, ndërsa të rinjtë janë lënë në mëshirë të fatit:
“Me një vajzë apo me një djalë të FRPD-së kemi më shumë ngjashmëri ne, sesa Lul Basha, sepse një vajzë e thjeshtë demokrate nuk vë gjoba.
Ata nuk kanë pasaporta hollandeze, as vila në Lundër e në Lalëz, ndaj duhet të flasim me ta jo si armiq, jo si kundërshtarë, por si cuna e goca të këtij qyteti të ngjashëm me ne, që i kanë hallet dhe ambiciet si tonat.”