Veliaj shpik konflikt mes makinave e biçikletave për të justifikuar trafikun në Tiranë

Nga Exit News
Veliaj shpik konflikt mes makinave e biçikletave për të justifikuar trafikun në Tiranë

Kryebashkiaku Veliaj kritikoi, të dielën, të gjitha ata qytetarë, politikanë e media që kanë kritikuar nismat e Veliajt për të ngushtuar rrugët e Tiranës për qarkullimin e makinave dhe shtimin e korsive të biçikletave.

Duke folur gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Veliaj e quajti ‘kanibalizëm urban’ të vësh kundër shoferët e makinave me ata që ngasin biçikletën:

“Njerëzit, për politikë, shfrytëzojnë situata të ndryshme, por të shfrytëzosh korsitë e biçikletave për të venë kundër shoferët e makinave është kanibalizëm urban.

Nëse ata që mendojnë se biçikletat shtojnë trafikun, imagjino nëse ata që kanë biçikleta të kishin të gjithë makina.”

Në të vërtetë, muajt e fundit qytetarët dhe mediat kanë vënë në dukje problemet e shumta me trafikun në Tiranë.

Ndryshe nga sa pretendon Veliaj, qytetarët që përdorin makinën në përditshmëri nuk i janë vënë kundër atyre që ngasin biçikletën, por kanë kritikuar ‘zgjidhjet urbanistike’ të Bashkisë Tiranë për të ndryshuar funksionin e rrugëve kryesore, të tilla si Rruga e Durrësit dhe Mine Peza, apo për të bllokuar dhjetra rrugë njëkohësisht për muaj të tërë, si pasojë e rikonstruksioneve, shpesh herë dhe të përsëritura për shkak të punimeve të dobta dhe jocilësore.

Këto ndërhyrje janë në vazhdën e disa investimeve të kryera nga Bashkia që vështirësojnë trafikun në Tiranë. Publikisht zyrtarët e Bashkisë shprehen se duan të dekurajojnë përdorimin e tepërt të makinave në qytet, por ndërkohë nuk kanë ofruar asnjë alternativë të vërtetë për të lehtësuar lëvizjet.

Ndërkohë, siç kemi shpjeguar më parë në Exit News, argumenti për mbi-përdorim të makinave nuk mbështetet nga statistikat. Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të makinave për frymë dhe të konsumit të naftës për frymë në Evropë, krahasuar edhe me vendet model për përdorimin e biçikletave dhe transportit publik.

Mbi të gjitha, teksa bashkia vazhdon të promovojë publikisht përdorimin e transportit publik dhe biçikletave në qytet, ajo ka vazhduar të lejojë ndërtime masive pranë qendrës së qytetit, të cilat vetëm shtojnë trafikun dhe lëvizjet drejt saj.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>