Vendi nuk do të përballet me një karantinë të dytë kombëtare, pavarësisht numrave të rritur të infektimit gjatë muajit janar.
“Nuk mund të rrijmë mbyllur derisa të iki virusi. Por ti themi njerëzve të zbatojnë masat e thjeshta”, tha Kryeministri Rama në një takim me gazetarët me rastin e mbërritjes së 1176 dozave të para të vaksinës Covid19 nga Pfizer, pjesë e marrëveshjes së arritur në janar.
Pyetjes së gazetares për rritjen e numrave të të infektuarve në vend gjatë janarit, Rama ju përgjigj se këto numra priteshin:
“Kjo është një fizarmonikë, hapesh dhe sigurisht ekspozohesh më shumë. Mbyllesh ekspozohesh më pak por përkohësisht. Duke u mbyllur virusi nuk ikën por thjesht ekspozimi është më i vogël”.
Ai i bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat anti-Covid19 të vendosura nga qeveria: “Strategjia është të ecim me kujdes duke u përpjekur ti themi njerëzve që të zbatojnë masat e thjeshta”.
Qeveria që prej janarit ka vendosur shtetrrethim nga ora 22:00 deri në orën 05:30, mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambjente të mbyllura dhe të hapura.