Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot ankesën në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së që la kreun e saj Albin Kurti jashtë listave të kandidatëve.
Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes, Blerim Sallahu pas dorëzimit të ankesës në prononcimin për media ritheksoi edhe njëherë se “kandidatët e përjashtuar nga lista jonë janë subjekt i një padrejtësie të shkaktuar nga vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së, kështu që është e arsyeshme që të pritet korrigjim nga Gjykata Supreme.”
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pranoi pjesërisht ankesat e partive politike në Kosovë mbi certifikimin e listës së kandidatëve.
Sipas pikës 1 të vendimit të PZAP, Albin Kurti dhe 4 kandidatë nga lista e Vetëvendosjesjanë lënë jashtë kandidimit.
KQZ në Kosovë nuk ka certifikuar listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës pasi nuk kishin zëvendësuar kandidatët që KQZ njoftoi se janë të papërshtatshëm sipas ligjit për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas ligjit, ata persona që janë dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet.