Vështirësohen bisedimet për koalicionin zgjedhor LVV–LDK

Vështirësohen bisedimet për koalicionin zgjedhor LVV–LDK

Arritja e një marrëveshjeje koalicioni parazgjedhor midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), konsideruar gjerësisht si fituesi më i mundshëm në zgjedhjet e 6 tetorit, duket se sa vjen e po ndërlikohet.

Kryetari i LVV Albin Kurti propozoi sot një rrugë të mundshme drejt koalicionit, pas një vendimi të LDK-së për të zgjedhur Vjosa Osmanin si kandidaten e kësaj partie për kryeministre të Kosovës.

Kurti deklaroi se ky vendim i LDK-së ishte marrë në befasi për LVV-në, ndërkohë që bisedimet mes tyre për një koalicion të mundshëm ishin në vazhdim. Si rrjedhojë, LVV nuk mund ta pranojë Osmanin si kandidate të përbashkët të koalicionit të mundshëm LVV-LDK.

Me LVV-në të vënë përpara një fakti të kryer, Kurti propozoi që të dyja partitë të hyjnë në zgjedhje me një listë të parbashkët për deputetë, por pa paracaktuar kryeministren/in e koalicionit.

Kurti propozon që kryeministri të përcaktohet në bazë të numrit të votave që merr secila nga të dyja partitë. Pra, nëse LDK merr më shumë vota në shkallë kombëtare, atëherë ajo vendos kryeministrin dhe të dyja partitë qeverisin së bashku.

Në një përpjekje për ta afruar aleatin e mundshëm drejt koalicionit, Kurti theksoi se këtë listë mund ta kryesojë Vjosa Osmani e LDK-së dhe vetë Kurti të ishte i dyti në listë.

Kryetari i LDK Isa Mustafa e hodhi poshtë propozimin e Kurtit. Në reagimin e tij, ai vlerësoi bashkëpunimin me LVV dhe tha se LDK është e hapur për një koalicion me të. Megjithatë, Mustafa kundërshtoi propozimin e Kurtit dhe theksoi se LDK e ka vendosur tashmë që Osmani do të jetë kandidatja e kësaj partie.

Isa Mustafa shtoi se:

Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.
Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

Mustafa propozoi që LVV ose të lidhë marrëveshje me LDK për Osmanin kryeministre, ose të presë rezultatet e zgjedhjeve për një koalicion paszgjedhor.

Megjithëse në pritje të bisedimeve me LVV për një koalicion, LDK zgjodhi në fillim të kësaj jave Vjosa Osmanin si kandidaturën e saj për kryeministër.

Vjosa Osmani fillimisht ka qenë shefe e stafit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu, ndërsa më pas u bë deputete. Ajo ka përfaqësuar LDK-ën në tri legjislatura, ndërsa në dy mandatet e fundit ajo ishte gruaja më e votuar.

Pas zgjedhjes, LDK-ja dhe shumë media e kanë paraqitur Osmanin pikërisht duke theksuar këtë fakt dhe se tashmë ajo është kandidatja e parë grua në historinë e Kosovës.

Ndërsa LVV, në pritje të arritjes së një marrëveshjeje me LDK-në nuk e ka caktuar ende zyrtarisht kandidatin e saj për kryeministër, shumëkush e konsideron Albin Kurtin si të vetmin kandidat të mundshëm.

Një sondazh i IFIMES nxori LLV si partinë me mbështetjen me të madhe nga pjesëmarrësit në sondazh, dhe Albin Kurtin si kryeministrin më të dëshiruar. Në rezultatet e sondazhit LVV ndiqej nga LDK, PDK dhe AAK.

Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë. Në zgjedhjet e vitit 2017, LVV mori mbi 200 mijë vota dhe 32 deputetë, ndërsa LDK mori 185 mijë vota dhe u përfaqësua me 25 deputetë.

Megjithëse LVV ishte partia me me shumë vota, ajo nuk arriti të siguronte numrat në parlament për formimin e një qeverie. Këtë të drejtë e gëzoi koalicioni PANA, që kishte 39 deputetë.

PANA përbëhej nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma dhe Aleanca Kosova e Re (AKR).

Kryeministri i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen më 19 korrik 2019, pasi u thirr nga Gjykata e Hagës për të dëshmuar sërish rreth pretendimeve për krime gjatë luftës së Kosovës.

Në fillim të kësaj jave Presidenti Hashim Thaçi dekretoi datën 6 tetor si datë zgjedhjesh të parakohshme.

Ndërkohë që të gjitha partitë e mëdha në Kosovë kanë arritur marrëveshje koalicioni, ndërsa LVV dhe LDK janë ende në bisedime, partia PDK e Hashim Thaçit ka mbetur e vetme.

Propozimi për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Thaçi, Vuçiç dhe Rama, duket se do t’i japë një goditje të mëtejshme në zgjedhje kësaj partie.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>