Vetëvendosje e LDK: Reciprocitet në vend të taksës ndaj mallrave serbe

Nga Exit News
Vetëvendosje e LDK: Reciprocitet në vend të taksës ndaj mallrave serbe

Qeveria e re e Kosovës synon ta zëvendësojë taksën 100% mbi mallrat serbe dhe boshnjake me reciprocitet politik dhe ekonomik. Kryeministri Albin Kurti tha sot pas një takimi me ambasadoren e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova:

“[…] jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100%”.

“[…] nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”.

Ngjashëm me Kurtin, edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se partitë partnere në qeverinë aktuale të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë përcaktuar edhe me programin e tyre qeverisës se taksa të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kurti ndërkohë tha për Radion Evropa e Lirë se edhe opozita është në të njëjtin qendrim me të për sa i përket reciprocitetit.

Ambasadorja e BE-së Apostolova tha se pret nga qeveria e Kurtit ide të reja, në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Heqja e taksës mbi mallrat serbe konsiderohet vendimtare në lidhje me rinisjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, i ka kërkuar qeverisë Kurti heqjen e menjëhershme të taksës.

Taksa 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos nëntorin e vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Vendimi erdhi pasi lobimi i Serbisë pengoi anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç vendosi tërheqjen nga bisedimet duke e kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>