Veting, shkarkohet gjyqtari i Apelit të Durrësit Arjan Balliu

Nga Stafi i Exit
Veting, shkarkohet gjyqtari i Apelit të Durrësit Arjan Balliu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot gjyqtarin e Apelit Durrës, Arjan Balliu. Vendimi u dha nga  trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Roland Ilia.

ILDKPI hartoi raport negative për gjyqtarin Balliu. Raporti i ILDKPI kishte gjetur dy raste të konfliktit të interesit, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

KPK konstatoi se gjyqtari Balliu kishte mungesë financiare në shumën 11.7 milionë lekësh. Gjithashtu Komisioni vuri në dyshim mundësinë financiare të zotit Balliu në blerjen e tre apartamenteve.

Gjyqtari Balliu kishte deklaruar një apartament 70.8 metra blerë në fillim të viteve 2000 në Tiranë për 28 mijë dollarë, një tjetër të blerë për 2 milion lekë në të njëjtën zonë me gati të njëjtat përmasa dhe një apartament në një fshat të Kavajës, marrë me kontratë shitje, por që pretendohej i përfituar nga një kontratë shkëmbimi trualli me ndërtim. Në vitin 2015 ai bleu një apartament në Tiranë në vlerën 2 milionë lekë.

KPK vuri në dukje në lidhje me apartamentin 70.8 metra se kishte deklarime të ndryshme në vitin 2003 dhe në deklaratën veting. Paqartësitë lidheshin me 15 mijë dollarë që gjyqtari Balliu pretendonte se i kishte marrë nga vjehrri. Në vitin 2003 ato ishin deklaruar si burim i apartamentit, por në deklaratën veting Balliu deklaroi se këto para ishin përdorur për shpenzime të tjera familjare. KPK ngriti dyshime dhe për ligjshmërinë të ardhurave të babait të Balliut i cili i kishte dhënë 1 milionë lekë për të blerë këtë apartament.

Gjithashtu sipas KPK marrëdhënia e Balliut me vjehrrin dhe vjehrrën ishte e dyshimtë. Vjehrri i Balliut i kishte dhënë 15 mijë euro për të blerë apartamentin, ndërkohë në vitin 2012 ai ja shiti këtë apartament vjehrrës për 8.8 milionë lekë.

Komisioni ngriti dyshime dhe për apartamentin e dytë të blerë për 2 milion lekë. KPK theksoi se çmimi ishte mjaft i ulët për zonën dhe Balliu nuk kishte burime për këtë pasuri. Po ashtu u vu në dukje diferencë në deklarimin e çmimit të apartamentit, pasi në deklaratën vjetore ishte deklaruar 2.9 milion dhe në atë veting për 2 milion lekë.

Gjatë hetimit të kriterit të profesionalitetit, KPK gjeti dy raste të konfliktit të interesit. I pari kishte të bënte më pjesmarrjen e gjyqtarit Balliu në një çështje ku palë ishte personi me të cilin ai kishte lidhur kontratën e blerjes së apartamentit në vitin 2015. Ky apartament ishte blerë me çmimin 2 milionë lekë. KPK e konsideroi këtë kontratë fiktive sepse apartamenti ndodhej në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe çmimi ishte i ulët.

Rasti i dytë i referohej vazhdimit të rregjistrimit të zotit Balliu si avokat në Qëndrën Kombëtare të Biznesit,edhe pasi ai kishte filluar punë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë si inspektor.

Gjyqtari Balliu u përball dhe me probleme lidhur me një sërë likuiditetesh të pretenduara prej tij që nuk ishin njohur si të ligjshme nga KPK. Sipas KPK gjyqtari Balliu nuk kishte paguar tatimet për të ardhurat nga qiratë dhe të ardhura të tjera.

KPK po ashtu vuri në dukje mosdeklarimin e gjendjes cash në vite dhe pretendimin në deklaratën veting për pasjen e kësaj gjendje.

Gjyqtari Balliu konfirmoi në korrik të këtij viti, mandatin e kryebashkiakes së Durrësit Valbona Sako. Ai vendosi të mos shqyrtojë çështjen për verifikimin e mandatit të kryebashkiakes Sako, me argumentin se mandati i Zonjës Sako është konfirmuar me vendim gjykate.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>