Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit, po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Sipas deklaratës së pasurisë, në vitin 2004 pasuria e gjyqtarit ishte vetëm 750 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, ajo është rritur 47 herë, duke arritur në vlerën e 35,5 milionëve.
ILDKPKI, në raportin e saj, vlerëson se gjyqtari Malaj ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe si burim kryesor të të ardhurave (në masën 72,4 për qind) gjyqtari ka deklaruar të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortes si notere.
Megjithatë, KPK gjatë hetimit të saj, ka dyshime se gjyqtari Malaj ka bërë një kontratë fiktive me kompaninë e ndërtimit, për blerjen e një apartamenti. Këto dyshime lindën pasi gjyqtari nuk ka paraqitur kontratën për blerjen e apartamentit dhe nuk ka deklaruar garazhin, kur në fakt apartamenti është blerë bashkë me garazh.
Lidhur me aftësitë profesionale, DSIK e ka quajtur të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën gjyqtarin Malaj. Sipas raportit të DSIK-së, Artur Malaj është përfshirë në korrupsiongjatë punës në Gjykatën e Vlorës. Por KPK e ka quajtur raportin e DSIK-së të pabazuar në prova dhe fakte.