Më 3 korrik, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku do të vlerësohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Përveç pasurive në pronësi të saj, KPK do të vlerësojë edhe aftësitë e saj profesionale dhe etike. Ky vlerësim pjesërisht do të bazohet në raportin e hartuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (DSIK), e cila është nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme. Duke qenë se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka mbështetur hapur kandidaturën e Zonjës Marku, ka pak gjasa që raporti i DSIK-së të ketë surpriza të padëshiruara.
Pjesa më e madhe e vlerësimit të Zonjës Marku do të varet nga hetimi i bërë nga KPK dhe nga zotësia e anëtarëve të saj Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu, sepse përgjatë karrierës së saj të shkurtër si Kryeprokurore e Përkohshme, Marku është përfshirë në disa shkelje të ligjit, duke minuar reformën në drejtësi:
Marku u emërua në shkelje të Kushtetutës nga shumica socialiste dhe pa kaluar vetingun, pasi opinioni ligjor i hartuar nga EURALIUS dhe OPDAT argumentoi se nuk paraqet asnjë problem nëse ajo do të emërohet si Kryeprokurore e Përkohshme sepse ajo nuk do të ketë pushtet të vërtet. Emërimi i saj u dënua nga Freedom House si një “tjetër goditje” ndaj “përpjekjeve të luftës kundër korrupsionit”.
Në shkelje të nenit 149/a(1)(a) të Kushtetutës, Marku ka emëruar, transferuar dhe shkarkuar prokurorë, përfshirë edhe prokurorët, të cilët hetojnë politikanë të nivelit të lartë. Vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë lejohet të emërojë, shkarkojë apo lëvizë prokurorët.
Në shkelje të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, Marku lejoi ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, anëtar i bandës kriminale Tahiri-Habilaj, edhe pse Prokuroria po e hetonte atë si të përfshirë në çështjen e Samir Tahirit i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit 95/2016 “Mbi organizimin dhe funksionimi e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe Ligjin 97/2016 “Mbi organiziimin dhe funksionimin e Institucionit të Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Marku krijoi Strukturën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), e cila në kundërshtim me ligjin nuk është e pavarur dhe nuk u ngrit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Vetingu i Arta Marku është më shumë se sa thjesht një rast tjetër i trajtuar nga KPK; në mungesë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, KPK do të gjykojë ligjshmërinë e veprimeve të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, duke zgjatur kështu edhe ligjshmërinë e ndërhyrjeve të qeverisë në Institucionin e Prokurorisë.
Një aspekt tjetër, i cili duhet të mbahet nën vëzhgim është raporti, i cili do të hartohet nga Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). A do të përmendë ai se si është politizuar Institucioni i Prokurirsë nën drejtimin e Markut, apo thjesht do ta injorojë situatën?
Bordi i Menaxhimit të ONM-së përbëhet nga dy ambasadorët tashmë në largim, ai i SHBA-ve Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, të dy firmëtarë të opinionit ligjor të EURALIUS-it, i cili i hapi rrugë emërimit të Arta Markut në dhjetor 2017.
Ndaj, vetingu i Zonjës Marku do të jetë një nga testet më të rëndësishme për reformën në drejtësi në Shqipëri: A do të jetë në gjendje KPK t’i bëjë ballë presionit të madh të qeverisë, Zyrës së Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës Amerikane, dhe të japë një vlerësim të paanshëm dhe të drejtë mbi mandatin e Zonjës Marku? Nëse jo, çdo shpresë se vetingu do të sjellë ndonjë ndryshim rrënjësor pozitv në sistemin shqiptar të drejtësisë do të zhduket.