Në tetor 2017, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj njoftoi nisjen e një procesi “vettingu” të të gjithë Policisë së Shtetit. Për këtë Zoti Xhafaj lajmëroi hapjen e një adrese e-mail ku secili prej punonjësve mund të adresonte “shqetësimin ndaj kujto qoftë ai”.
Siç Exit e shpjegoi atëherë, mënyra që Xhafaj propozonte në këtë letër anashkalon Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Shqetësimet (ShÇBA) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, roli i së cilës është ligjërisht i vendosur për të hetuar ankesat kundër Policisë së Shtetit dhe për të ruajtur integritetin e saj. Punonjësit e Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave janë trajnuar dhe certifikuar edhe nga Programi Ndërkombëtar i Trajnimit dhe Ndihmës për Hetimin Penal (ICITAP) të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Në muajt e fundit, adresa e e-mailit të ministrit Xhafaj ka arritur të kthehet në një projektligj të quajtur “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministri e Punëve të Brendshme “.
Ky projektligj do të diskutohet sot në Parlament. Megjithëse qeveria, nën valën e reformës në drejtësi, është e gatshme të zbatojë “vettingun” si një mjet profesional dhe neutral kudo, ky projektligj ndryshon në disa elementë kyçë nga legjislacioni që mundëson verifikimin (vettingun) në sistemin e drejtësisë.
Ndërsa ligji për vettingun në sistemin e drejtësisë ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe miratimin dypartiak për të paktën një pjesë të ligjeve, ligji për vettingun në polici mund të miratohet dhe vetëm nga Partia Socialiste. Kjo krijon rrezikun që vettingu në polici do të jetë një mbulim për krijimin e një force policore që i nënshtrohet plotësisht qeverisë së tanishme dhe interesave të saj.
Projektligji propozon tre organe vlerësimi: Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit (KJV), Komisioni Qendror i Vlerësimit (KQV) dhe Komisionet Vendore të Vlerësimit (KVV).
Komisionet e ndryshme duhet të vlerësojnë nivelet e ndryshme të anëtarëve të Policisë së Shtetit, Gardës Republikane dhe SHÇBA-së. Ky është një ndryshim tjetër strukturor nga institucionet e vettingut të parashikuara nga reforma në drejtësi, të cilët vlerësojnë të gjithë anëtarët e gjyqësorit nga Gjykata Kushtetuese deri tek sekretarët. Shtresëzimi i organeve të vlerësimit të policisë hap mundësinë që punonjësit e nivelit të lartë të marrin trajtim ndryshe nga ata të një rangu më të ulët.
Institucionet që bëjnë vlerësimin e anëtarëve të sistemit gjyqësor u zgjodhën në bazë të një procesi publik të aplikimit, vlerësimit paraprak nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe kanë nevojë për miratimin e parlamentit.
Ndërkohë që organet vlerësuese të policisë do të zgjidhen nga një Bord Përzgjedhës (BP), i cili përmban 5 zyrtarë qeveritarë të drejtuar nga ministri Fatmir Xhafaj, ish-prokuror i diktaturës komuniste.
BP zgjedh 10 nga 15 anëtarë të organit më të lartë të vlerësimit, Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit. Kriteret e anëtarëve të KJV-së janë edhe më shqetësuese: një diplomë master, 10 vjet përvojë pune dhe pa përfshirje politike për 3 vitet e fundit. Le ta krahasojmë këtë me kualifikimet e nevojshme për të qenë një anëtar i institucioneve të vettingut në drejtësi: një diplomë master, 15 vjet përvojë si gjykatës, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, punonjës i shërbimit civil në nivel të lartë dhe pa përfshirje politike për të kaluarën 10 vite.
Duke kufizuar mandatin në vetëm 3 vjet, qeveria në thelb po fton të gjithë aktivistët e partisë që kanë bërë fushatë për PS në vitin 2013 për t’u bashkuar dhe për të drejtuar policinë. Për më tepër, Parlamenti nuk do të ketë asnjë rol në asnjë nga këto procedura dhe zgjedhja e anëtarëve të KJV-së vendoset plotësisht nga BP, me fjalë të tjera, nga ministri Xhafaj.
Komisioni Qendror i Vlerësimit (KQV) përbëhet nga të gjithë anëtarët e KJV, të cilët cilët bëhen automatikisht anëtarë të këtij komisioni . 15 anëtarëve të KJV-së i shtohen dhe 30 anëtarët e tjerë nga forcat e zbatimit të ligji (Policia e shtetit, Garda e Republikës dhe SHÇBA).
Komisioni Vendor i Vlerësimit (KVV) përbëhet nga 135 anëtarë, ndër to :45 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe 90 anëtarë të përzgjidhen nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
KJV, KQV dhe KVV kanë të gjitha sekretariatet e tyre, të cilat duhet të përpilojnë dosjet për të gjithë punonjësit e policisë. Kështu, e gjithë struktura e organeve të vlerësimit nuk bazohet në profesionistë ligjorë që veprojnë në mënyrë të pavarur, por në një piramidë gjigante burokratike të zyrtarëve të “verifikuar” nga qeveria, në krye të të cilave është ministri Xhafaj.
Së fundi, e gjithë kjo do të ndodhë në fshehtësi të plotë. Një nga nenet e para të projektligjit kufizon të drejtën për informim të sanksionuar me Kushtetutë, në të njëjtën mënyrë si ligji për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve (84/2016):
Neni (4) E drejta e informimit e parashikuar në ligjin “Për të drejtën e informimit” mund të kufizohet nga organi përkatës i vlerësimit nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të dukshëm dhe të rëndë në administrimin e procesit të vlerësimit kalimtar.
Ndryshim tronditës mes dy ligjeve për vetting është se ligji për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, lidhur me dhënien e informacionit, përfshin shprehjen “respektimi i parimit të proporcionalitetit”, ndërsa vettingu i policisë jo.
Kjo do të thotë se qeveria mund të refuzojë qasjen në të gjitha informacionet, edhe sikur vetëm një pjesë e tij do të shkaktonte “një dëm të dukshëm dhe të rëndë”. Mospërfshirja e vetëdijshme e parimit të proporcionalitetit do të bëjë që asnjë informacion rreth vettingut në polici të mos bëhet publik për median dhe qytetarët.
Problemi kryesor me projektligjin është korniza ligjore që krijon dhe dominimi absolut i figurës së ministrit Xhafaj në të. Megjithatë, një nga arsyet për oficerët e zbatimit të ligjit për të marrë një vlerësim negativ është kur “punonjësi është fotografuar ose ka takuar një person të përfshirë në krimin e organizuar” (neni 36, pika4/a).
Kështu që unë po ju vë fotografinë e mëposhtme: