Vetingu i politikanëve: pretendimet fallco që socialistët po përdorin për ta hedhur poshtë

Nga Ilmi Rehova
Vetingu i politikanëve: pretendimet fallco që socialistët po përdorin për ta hedhur poshtë

Propozimi i Partisë Demokratike për vetingun e politikanëve duket se jo vetëm e ka kapur papritur shumicën socialiste, por e ka hedhur atë në një përpjekje të rrëmujshme dhe, ndoshta, të panikuar propagandistike për ta varrosur para se të hedhë rrënjë.

Nga rithirrja në skenë e Fazlliçit tek lajmi fallco për arrestimin e partnerit në biznes të shokut të shkollës, tek shpërthimet me vëllezërit, kunetërit, tek skenarët me armiq të reformës në drejtësi—argumentat publikë kundër vetingut që po lëshojnë eksponentët socialistë dhe agjitatorët e tyre mediatikë janë përgjithësisht të shpërndara, sipërfaqësore, emocionale deri në qesharake.

Por zhvillimi më interesant në këtë histori është fakti se nga mjeti kryesor i betejës propagtandistike kundër opzoitës, vetingu tashmë është bërë shenjestër e sulmeve të socialistëve.

Deri para pak ditësh, shumica socialiste mburrej dhe prapagandonte rezultatet e jashtëzakonshme të vetingut jo vetëm në drejtësi, por edhe të vetingut të policëve dhe gradistëve e deri edhe të avokatëve privatë.

Ndërsa sot socialistët nuk kanë asnjë përgjigje direkte dhe të qartë për pyetje elementare: pse është normale që vetingut t’i nënshtrohet edhe polici me gradën më të ulët në periferinë më të largët të vendit, por jo ministri që drejton gjithë policët e vendit apo kryeministri që drejton gjithë vendin? Pse socialistët nuk folën dhe nuk nxorrën asnjë problem teknik për vetingun e gjyqtarëve, prokurorë e policëve, por tani propagandojnë se është e pamundur teknikisht të bëhet vetingu i politikanëve?

Natyrisht, vetingu i politikanëve duhet debatuar dhe duhet konsideruar seriozisht, ndër të tjera në skenën publike, përveç asaj politike. Por këto diskutime duhet të çlirohen nga paragjykimet dhe keqinformimet që po synohen të përhapen nga shumica socialiste dhe makina e saj e propagandës. Në shërbim të këtij qëllimi, më poshtë ne po analizojmë shkurtimisht disa nga pretendimet keqinformuese të hedhura në tregun publik këto ditë.

Pretendim: Propozimi për vetingu i politikanëve është bllof apo qesharak apo i pamundur, pasi është e vështirë të përcaktosh dhe pastaj vlerësosh “lidhje të papërshtatshme me elementë kriminale”.

Fakt: Formulimi i propozuar nga opozita për t’u përfshirë në Kushtetutë për të sanksionaur vetingun e politkanëve të lartë, është i përgjithshëm dhe duhet të zbërthehet në detaje me anë të një ligji të vecantë. Por kjo nuk është gjë e vështirë pasi tashmë ka një praktikë të konsoliduar në këtë drejtim: i njejti përcaktim identik kushtetues është përdorur në vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe detajimi i përcaktimit kushtetues të “lidhjeve të papërshtatshme me elementë kriminalë” është zbërthyer në mënyrë ligjore, si dhe është zbatuar me sukses në praktikën e vetingut që po kryhet në sistemin e drejtësisë.

Pretendim: Opozita kërkon vetingun e politikanëve që të shmangë hetimin e familjarëve të tyre.

Fakt: Vetingu i politikanëve të lartë nuk pengon asnjë lloj hetimi penal ndaj tyre apo njerëzve të lidhur me ta. Vetingu as nuk përjashton, as nuk pengon, as nuk kufizion dhe as nuk ndikon në mënyrë negative asnjë hetim penal ndaj politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta. Përkundrazi, vetingu në politikë ndihmon apo nxit ekspozimin e lidhjeve kriminale dhe korrupsionit të politikanëve, pasi sikurse ka ndodhur në rastin e sistemit të drejtësisë, rezultatet e vetingut i referohen prokurorisë për hetim penal.

Vlen të sqarohet se SPAK dhe Byroja e Hetimit kanë juridiksion të hetojnë vetëm zyrtarët e lartë për korrupison dhe grupet e organizuara kriminale. Kjo do të thotë që pretendimi se SPAK dhe Byroja e Hetimit do të hetojnë familjarët e politikanëve është fallco—familjarët e politikanëve mund të hetohen nga SPAK apo Byroja e Hetimit vetëm si pjesë e hetimeve ndaj politikanëve, por për çdo lloj aktiviteti të tyren ata hetohen çdo qytetar nga prokuroritë e rretheve.

Pretendim: Vetingu i politikanëve do të bëhet nga sistemi i pastruar i drejtësisë, përfshi SPAK dhe Byronë e Hetimit.

Fakt: Vetingu nuk është hetim penal por proces politik, i cili kufizon edhe më shumë të drejtat e politikanëve edhe se sa Kodi Penal dhe ligjet e tjera që rregullojnë sjelljen e politikanëve. Kjo do të thotë që vetingu mund të të rrëzojë edhe pa bërë një krim, pasi vetingu ka të bëjë me pastërtinë e figurës ku përfshihet jo vetëm elementët penalë, por edhe elementët e “papërshtatshmërisë”. Vjen fjala, nëse një politikan ka lidhje miqësore me një kriminel, pa u përfshirë në aktivitetin kriminal të krimineleit apo pa i dhënë asnjë lehtësi dhe avantazh kriminelit, ai nuk mund të dënohet penalisht, pro ama përjashtohet nga pozicionet e larta shtetërore nga vetingu politik, pasi gjykohet që kjo marrëdhënie miqësore është e papërshtatshme për një politikan të lartë.

Pretendim: Vetingu i politikanëve bëhet për të penguar reformën në drejtësi.

Fakt: Vetingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë ndikim negativ në reformën në drejtësi. Të gjitha veprimet dhe proceset kushtetuese dhe ligjore të reformës në drejtësi janë krejtësisht të palidhura me vetingun e politikanëve. Si ilustrim i kotësisë së kësaj teze mund të pretendohet se vetingu i policisë i ndërmarrë me bujë nga shumica socialiste pengon reformën në drejtësi.

Në një konteskt më të gjerë, duhet theksuar se roli i opozitës në zbatimin e reformës në drejtësi është praktikisht zero: ajo nuk ka asnjë pushtet ligjor apo institucional, as të pengojë dhe as të ndikojë reformën në drejtësi. I vetmi rast kur opozita mund të ketë ndonjë ndikim të vogël është në rastet kur shumica socialiste kërkon të ndërmarrë ligje që arnojnë apo pezullojnë përcaktimet kushtetuese, siç është rasti i ligjit të shkollës së magjistraturës, në të cilin, për shkak të mos arritjes së formimit të institucioneve kushtetuese përtej afateve kushtetuese, shumica mundohet t’i zgjidhë me ligje special që na kthejnë tek praktikat apo institucionet e para reformës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>