Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë prokurorin e Apelit të Vlorës, Kleanth Zeka.
Vendimi u mor nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Roland Ilia.
KPK, gjatë hetimit administrativ, gjeti pasaktësi të vogla në deklarimin e pasurisë, por prokurori Zeka tha se nuk kishte ditur t’i plotësonte formularët e deklarimit të pasurisë.
“Ndonjëherë bëheshim disa kolegë bashkë dhe konsultoheshim se si t’i plotësonim deklaratat. Askush nuk mund të dijë gjithë legjislacionin,” deklaroi prokurori sipas BIRN.
Fillimisht KPK raportoi se prokurori ka blerë një apartament në Vlorë, me sipërfaqe 100 metër katrorë me vlerë 37 mijë euro, vlerë kjo më e ulët se e tregut.
Për këtë rast, Zeka sqaroi se dy familjet, e tija dhe e shitësit të apartamentit, kishin miqësi të vjetër:
“Ishte në mes marrëdhënia e prindërve tanë. Shitësi më pyeti se sa kisha mundësi. I thashë se për momentin kisha 26 mijë euro dhe mund të shtoja diçka tjetër dhe se syrin e kisha për të shpenzuar jo më shumë se 40 mijë euro. Më pas takova babanë e shitësit, i cili më tha se do t’i thoshte djalit që të ulte çmimin. Pasi i dhashë në fillim 26 mijë euro, ai e uli çmimin në 37 mijë euro.”
KPK verifikoi dhe udhëtimet jashtështetit të prokurorit dhe familjes së tij, nga ku ka rezultuar se ai ka udhëtuar vetëm një herë drejtë Greqisë me familjen e tij, me autobuz.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dha raport pozitiv për prokurorin. Po ashtu, profesionalisht zoti Zeka u vlerësua pozitivisht.