
Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Arben Dollapaj .
KP i ka kërkuar KPA-së të bëjë një rihetim të plotë të pasurisë së prokurorit pasi ka dyshime se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka bërë hetim të plotë.
Komisioneri po ashtu shpjegon se gjatë muajit gusht ka marrë dy denoncime që lidhen me dy nga pasuritë e prokurorit, një shtëpi në Tiranë dhe një shtëpi në Valbonë. Për shtëpinë në Tiranë, Dollapaj ka deklaruar se e ka në pronësi bashkë me të vëllain por KPK nuk ka hetuar burimet financiare të vëllait të Dollapajt.
Në ndryshimet me ankimimet e tjera, kësaj radhe KP-ja nuk ka kërkuar shkarkimin e Dollapajt por vetëm rihetim të pasurisë së tij.
Arben Dollapaj, prokuror i Apelit në Shkodër, u konfirmua në detyrë më 6 gusht. Ai është kandidat për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Bashkë me ankimimin për Dollapajn, shkon në 12 (ose rreth 35 për qind) numri i vendimeve të KPK-së që Komisionerët Publikë kanë ankimuar.