
Pas gjyqtarit Xhezair Zaganjori, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi dhe shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit Artur Malaj.
ONM i ka kërkuar Komisionerëve Publikë që të apelojnë në KPA vendimin e KPK-së që rikonfirmon në detyrë gjyqtarin Malaj.
Artur Malaj, njëkohësisht dhe kandidat për në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, u rikonfimua në detyrë më 3 gusht, edhe pse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e quajti të papërshtatshëm për detyrën dhe kërkoi shkarkimin e tij. Sipas raportit të DSIK-së, Artur Malaj është përfshirë në korrupsion gjatë punës në Gjykatën e Vlorës. Por KPK e ka quajtur raportin e DSIK-së të pabazuar në prova dhe fakte.
Për sa i përket pasurisë, vetë KPK gjeti disa paqartësi dhe pasaktësi në deklarimin e pasurisë por vendosi konfirmimin e gjyqtarit në detyrë.