Vetingu, shkarkohet kreu i gjykatës Tropojë, probleme me pasurinë dhe profesionalizmin

Vetingu, shkarkohet kreu i gjykatës Tropojë, probleme me pasurinë dhe profesionalizmin

Kryetari i Gjykatës së Tropojës Dritan Seci u shkarkua sot nga detyra pasi nuk mundi të kalojë vetingun. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Roland Ili, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici, gjeti probleme në deklarimin e pasurisë dhe aftësive profesionale të gjyqtarit.

Gjatë hetimit, KPK gjeti mospërputhje në deklarime për blerjen e një apartamenti në vitin 2012 në Bajram Curri dhe mungesë burimesh financiare të ligjshme për ta blerë atë. KPK ngriti dyshime dhe për aktivitetin e bashkëshortes së Secit, e cila ka një farmaci dhe të ardhurat e përfituara nga ky biznes vit pas viti janë deklaruar disa herë më ulët sesa raportimi i bërë në zyrën e Tatimeve të Kukësit.

Po ashtu, KPK gjeti kontratat në emër të Secit për pagimin  e energjisë elektrike dhe të ujit për një apartament në rrugën e Durrësit, të cilin Seci nuk e kishte deklaruar në formularin e vetingut. Gjyqtari Seci u mbrojt duke thënë se ky apartament i është shitur një personi tjetër, pavarësisht se kontratat e faturave janë ende në emër të tij.

Lidhur me aspektin profesional, në emër të Secit kanë ardhur tre ankesa nga qytetarët. Në dy prej këtyre rasteve, KPK ka gjetur shkelje: në një prej dosjeve Seci ka ndryshuar cilësimin e palëve pa dhënë shpjegim dhe pa marrë një vendim të ndërmjetëm, ndërsa në dosjen tjetër gjyqtari ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor pa njoftuar njërën palë, duke i hequr asaj të drejtën e ankimit.

Deri më tani janë shkarkuar nga detyra dhe gjashtë kryetarë gjykatash të rretheve të tjera: Izet Kadana (Pukë), Admir Belishat (Korçë), Agron Vavla (Berat), Alltun Çela (Sarandë), Alfred Gjoni (Kurbin), dhe Arben Zefi (Shkodër). Në ditët në vijim pritet të zhvillohet seanca për Kryetaren e Gjykatës së Lezhës Ornela Naqellari.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>