Viti 2020: 50 gazetarë të vrarë, 387 të arrestuar

Nga Alice Elizabeth Taylor
Viti 2020: 50 gazetarë të vrarë, 387 të arrestuar

50 gazetarë u vranë për shkak të punës së tyre nga1 janari 2020 deri në 15 dhjetor 2020. Shumica e këtyre vdekjeve ndodhën në vendet e konsideruara  si vende “në paqe”, pra jo në gjendje lufte.

Këtë raportim e bëri organizata Reporterët pa kufij në raportin e fundit të vitit 2020.

Numri i vrasjeve të gazetarëve ka rënë ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit, por numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur jetën është ende i lartë: 937.

Vitet më të këqija për vdekjet e gazetarëve ishin 2012, 2013, 2015 dhe 2014, secila me mbi 100 gazetarët të vrarë.

Ndërsa numri i vrasjeve u zvogëlua këtë vit, RSF vuri në dukje se kishte më pak gazetarë në terren për shkak të COVID-19.

Në vitin 2016, 58% e viktimave nga punonjësit e medias ishin në zonat e luftës, ndërsa tani vetëm 32% e tyre ishin në vendet e shkatërruara nga lufta si Siria, Jemeni, Iraku dhe Afganistani. Këtë vit, shumica e vdekjeve ndodhën në Meksikë (8), Indi (4) dhe Filipine (3).

RSF raportoi se “nga të gjithë gazetarët e vrarë për shkak të punës në vitin 2020, 84% u vunë në shënjestër dhe u vranë me dashje, krahasuar me 63% që ishin në vitin 2019. Disa u vranë në mënyrë barbare”.

Në Meksikë, gazetarëve ju prenë kokat dhe u copëtuan, të tjerë u dogjën të gjallë ose u goditën për vdekje me thika.

Në Iran, shteti ekzekutoi me varje gazetarin Rouhollah Zam, redaktor i faqes në internet të Amadneës.

LEXO  Avdullah Hoti, kryeministri i ri i Kosovës

“Dhuna e botës vazhdon të hidhet mbi gazetarët,” tha sekretari i përgjithshëm i RSF Christophe Deloire. “Disa mund të mendojnë se gazetarët janë vetëm viktima të rreziqeve të profesionit të tyre, por gazetarët gjithnjë e më shumë vihen në shënjestër kur hetojnë ose mbulojnë tema të ndjeshme. Ajo që po sulmohet është e drejta për tu informuar, e cila është e drejtë e çdokujt.”

Për sa i përket temave më të rrezikshme për t’u raportuar, ato përfshinin keqpërdorimin e fondeve publike, korrupsionin, mbulimin e protestave dhe aktivitetet e krimit të organizuar.

RSF raportoi se 387 gazetarë janë aktualisht të arrestuar për shkak të punës së tyre. Kjo shifër është e njëjtë me një vit më parë dhe do të thotë se numri i gazetarëve të ndaluar në të gjithë botën është akoma në një nivel historik të lartë.

2020 ka parë gjithashtu një rritje prej 35 për qind të numrit të grave gazetare të ndaluara në mënyrë arbitrare dhe një rritje katërfish të arrestimeve të gazetarëve gjatë tre muajve të parë të pandemisë. Katërmbëdhjetë gazetarë që u arrestuan për shkak të mbulimit të pandemisë.

Në Evropën Qendrore dhe Ballkan, autoritetet gjithashtu kanë përfituar nga pandemia për të rritur presionin ndaj mediave kritike, qoftë me anë të ligjeve drakoniane, si në Hungari dhe Serbi, ose duke arrestuar gazetarë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme