Dosjen për bashkëpunimin kriminalo-politik për blerjen e votave në Dibër do ta hetohet nga prokuoria e Dibrës, e cila drejtohet nga gruaja e kushëririt të parë të një prej personave kryesorë nën hetim.
Para rreth dy muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndërprerë hetimin e njohur si “Dosja 184” për mungesë kompetence dhe ia ka kaluar hetimin prokurorisë Dibër.
Prokuroria Dibër drejtohet nga Esmeralda Keshi (Cami), kunata e Arben Keshit, drejtorit të Ministrisë së Brendshme, i kapur në përgjimet e prokurorisë si person kyç në skemën e shit-blerjes së votave dhe frikësimit të qytetarëve për të votuar kandidatin socialist, në zgjedhjet vendore 2016 në Dibër.
Lidhjen familjare mes Esmeralda Keshit dhe Arben Keshit e ka raportuar së pari BoldNews.al, pas një vëzhgimi në regjistrin e gjendjes civile, i cili zbuloi se Arben Keshi është djali i xhaxhait të Gentjan Keshit, bashkëshortit të Esmeralda Keshit.
Në përgjimet e bëra publike nga gazeta gjermane BILD, Arben Keshi, në atë kohë drejtor në Ministrinë e Brendshme, dëgjohet në disa biseda:
- me Kryeministrin Rama, të cilit i jep llogari për komisionerët e PS-së në votime;
- me votuesit ku bën pazare për blerje votash;
- me drejtorin e arsimit në Dibër, të cilin e urdhëron t’i presion të gjithë mësuesve se nëse nuk votojnë për PS-në do të shkarkohen nga detyra;
- me Sali Skurën, Shef tek Komisariati i Policisë Nr.5 në Kamëz, të cilit i kërkon të ndalojë votuesit e PD-së që jetojnë në Kamëz, por që kanë ende të drejtë vote në Dibër.
- me ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri i cili e lajmëron Keshin se po i dërgon tek shtabi disa “tipa problematikë’, që t’i këtë për çdo rast”.
Nga telefonatat e Arben Keshit duket se Partia Socialiste në Dibër kishte ngritur një sistem të organizuar për blerjen e votave me dijeninë e Kryeminstrit Edi Rama.
Por kalimi i dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për hetim në prokurorinë Dibër, ngre pikëpyetje serioze për paanshmërinë dhe seriozitetin e hetimeve.
Transferimi i hetimeve të rëndësishme po bëhet praktikë e zakonshme. Të njëjtin fat ka pasur më parë dhe dosja e 613 kilogramëve kokainë kapur në Durrës. Fillimisht dosja u hetua nga prokuroria e Krimeve të Rënda, por në prill 2018 Prokuroria shpalli moskompetencë për hetimin dhe ia kaloi atë Prokurorisë së Durrësit, pasi rasti u regjistrua vetëm si “trafik i lëndëve narkotike” dhe jo “grupim i strukturuar kriminal”.
Pas disa muajsh hetimesh, prokuroria e Durrësit arriti në përfundimin se 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kokainës e trafikuar ndonjëherë në Shqipëri, u trafikuan vetëm nga një person, Arbër Çekaj, i cili është dhe i akuzuari i vetëm për këtë dosje.
Në mënyrë të ngjashme me rastin e kokainës në Durrës, edhe në rastin e Dibrës, si justifikim për dërgimin e dosjes nga Krimet e Rënda në prokuroritë e rretheve janë bërë ndryshimet e Kodit Penal, bërë në 2017, dhe ristrukturimi i prokurorive si pasojë e reformës në drejtësi.
Me ndryshimet e reja, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të shndërrohet në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), procedurat për formimin e së cilës kanë nisur.
SPAK do të hetojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.
Ndërkohë të tjera çështje të rëndësishme si trafikimi i lëndëve narkotike dhe bashkëpunimet kriminalo-politike për vjedhjen e votave do të hetohen nga prokuroritë e rretheve, ku me shumë gjasa do të zvarriten me vite të tëra, derisa të mbyllen për mbarim të afateve ligjore.