Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani shpreson se nën presidencën Biden, marrëdhëniet Kosovë-SHBA do të përmirësohen ndjeshëm.
Në një intervistë për Financial Times, duke iu referuar mbështetjes së gjatë që Bideni ka dhënë për ndërhyrjen dhe dialogun midis Serbisë e Kosovës, Osmani deklaroi se:
“Të gjithë e dinë që presidenti i zgjedhur Biden nuk është një mik i zakonshëm i Kosovës. Ai e di dhimbjen tonë shumë mirë. Joe Biden e di të vërtetën, dhe e vërteta është shumë e thjesht.
Serbia e humbi Kosovën sepse abuzoi me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial duke vrarë njerëzit që jetuan në atë territor, duke kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai e di të vërtetën dhe nuk do të përpiqet ta ndryshojë atë.”
Pyetur për marrëveshjen ekonomike Kosovë-Serbi nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe me negociimin e Trumpit, Osmani tha:
“Ne nuk mund të ecim përpara pa shikuar se cili është pozicioni i administratës së re në ato pika.”
Vjosa Osmani mori rolin e presidentes në detyrë në fillim të nëntorit pasi paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, dha dorëheqjen për t’u përballur me akuza për krime lufte të ngritura nga një gjykatë speciale me bazë në Hagë.
Lidhur me këto akuza dhe dorëheqjen e Thaçit, Osmani u shpreh për Financial Times vendi i saj kishte treguar një “pjekuri institucionale” dhe “një vullnet të jashtëzakonshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë”.
Ajo shtoi se se nuk mund të ketë “asnjë ekuivalencë morale” midis krimeve të pretenduara të kryera nga disa individë kosovarë dhe “aparatit shtetëror të Serbisë”. Ajo tha se përpjekjet e mëparshme gjyqësore për t’i vënë para drejtësisë udhëheqësit ushtarakë dhe politikë serbë kanë dështuar.