Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkarkoi të hënën kreun e KQZ-së në vend, Valdete Daka.
Arsyeja e dhënë lidhej me mosgarantimin e pavarësisë së institucionit, sipas Osmanit.
“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së,” shkruhet në deklaratën e Presidencës Kosovare.
Ajo shton se veprimet e Dakas nuk duhet të bëhen shkak që qytetarët të humbasin besimin tek institucioni.
Vendimi u morr “duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike” përfundon deklarata për mediat.
Kreu i KQZ-së emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Mandati zgjat shtatë vjet, duke filluar nga data e emërimit nga Presidenti i Kosovës.
Daka ka mbajtur postin e kreut të KQZ-së qysh prej vitit 2010, duke u konfirmuar në detyrë në vitin 2018 nga presidenti i atëhershëm, Thaçi.