
“Vjosa perla e egër e Evropës” kështu titullohet ekspozita me rreth 50 fotografi që u çel pasditen e së enjtes në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar nga shoqata EcoAlbania. Shkrepjet e 7 fotografëve shqiptarë e të huaj në rrjedhën e gjatë dhe të pandërprerë të Vjosës ekspozohen për të ndërgjegjësuar më tej publikun shqiptar për bukurinë e veçantë që e karakterizon këtë lum dhe për rrezikun që i kanoset nga projektet e hidrocentraleve.
Olsi Nika, biolog dhe njëherësh drejtues i shoqatës mjedisore EcoAlbania u shpreh se “fotografitë e ekspozitës janë kryer gjatë punës në terren që është bërë nga shoqata dhe dashamirës të ndryshëm të natyrës për të dokumentuar vlerat natyrore, historike dhe kulturore që mbart Vjosa”.
Fotografitë e paraqitura ishin nga Roland Tasho, Adrian Guri, Roland Dorozhani, Artan Rama, Gregor Subic, Robert Hackman dhe Nick St. Ogger. Adrian Guri tha se “kur ata i kishin shkrepur fotografitë nuk mendonin për një ekspozitë por thjesht për të dokumentuar natyrën dhe bukuritë e Vjosës”. Ndërsa amerikani Nick St. Oegger u shpreh se Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë dhe që për të ishte magjepsëse për shumllojshmërinë e biodiversitetit që mbart.
Ekspozita “Vjosa perla e egër e Evropës” do të qëndrojë e hapur deri më 16 qershor. Ajo organizohet me iniciativë të EcoAlbania, e cila së bashku me EuroNatur dhe Riverwatch pak ditë më parë propozuan kthimin e rrjedhës së lumit Vjosa në park kombëtar. Propozimi i tyre vjen si përpjekje për ta mbrojtur këtë lum nga projektet e shumta të hidrocentraleve të parashikuara për t’u ndërtuar atje.
Vëzhgimet shkencore kanë pikasur në luginat e Vjosës rreth 177 specie që rrezikohen nga ndërtimet e hidrocentraleve. Në rrjedhën e lumit parashikohen të ndërtohen 8 hidrocentrale, ndërsa në përrenjtë që e furnizojnë atë 34 të tjerë.
Fotografi të disa prej autorëve në ekspozitë:



