Vlerësimi mjedisor për Vjosën, një tjetër Copy-Paste

Nga Artan Rama
Vlerësimi mjedisor për Vjosën, një tjetër Copy-Paste

Firma këshilluese “Abkons”, e kontraktuar për hartimin e vleresimit mjedisor nga kompania turke “Ayen Alb”, kjo e fundit e kontraktuar vitin e shkuar nga qeveria për të ndërtuar hidrocentralin e madh të Kalivaçit në Vjosë, nuk ka kryer një studim të ri mjedisor dhe, madje, as një vlerësim origjinal të sajin.

Vera Pollen, eksperte serbe e bidoversitetit ujor, e kontraktuar për llogari të “Abkons” pohoi se të dhënat që ajo kishte grumbulluar bazoheshin, në pjesën më të madhe,  në një tjetër studim, të kryer nga shkencëtarë austriakë e gjermanë gjatë vitit 2017, në rrjedhën qëndrore të Vjosës, fare pranë vendit ku do të ndërtohej diga e Kalivaçit. Ajo pranoi se projekti për digën gjendej në një mozaik habitatesh me vlera natyrore dhe të pacënuara nga njeriu.

Pohimet u bënë gjatë një dëgjese të zhvilluar dje në Memaliaj, në Qendrën Kulturore  të qytetit, në prani të rreth 30 përfaqësuesve, kryesisht banorë të fshatrave që shtrihen përreth luginës në rrjedhën qëndrore të Vjosës.

Por e papritura ishte fakti se ajo që iu servir publikut, çka përbënte të gjithë studimin paraprak të “Abkons”në lidhje me habitatin ujor të Vjosës, në të cilin përfshihej edhe një inventar i specieve të peshkut, ishte një përkthim, fjalë për fjalë, i vetëm disa paragrafeve të “Acta ZooBot Austria”, raportit të shkencëtarëve austriakë dhe gjermanë. Një gjë të tillë mund ta zbuloni vetë, përmes ilustrimeve të mëposhtëme.

Pjesë nga Acta ZooBot Austria, studimi origjinal, Universiteti i Vienës.
Pjesë nga Acta ZooBot Austria, studimi origjinal, Universiteti i Vienës.

Ky material, i pretenduar nga “Abkons” si një studim autentik, nuk ka asgjë, asnjë fjalë më shumë, se sa shkëputja copy-paste e paragrafeve të marra prej studimit tjetër, atij të ekspertëve austriakë e gjermanë të kryer nga Universiteti i Vjenës; asnjë vlerësim plotësues; asnjë detaj shtesë.

Pra, e tërë orvatja 1-vjeçare, e përfaqësuesve të “Abkons” për të respektuar të ashtuquajturat “standarde të qëndrueshmërisë mjedisore”, të kërkuara nga Banka Botërore, rezultoi në një aksion përkthimi. Po të krahasojmë studimet mbi Faunën, aty mungojnë evidencat vizuale të cilat do të konfirmonin prezencën e ekipit në terrenin konkret; fotografi ilustruese apo tabela të ndërtuara enkas për projektin e Kalivaçit. Ndikimet e mundshme nuk detajohen dhe menaxhimi për rehabilitimin e tyre, përveçse i varfër në argument, mbetet në përgjithësi. Raporti nuk ka asnjë vlerësim mbi ndikimin e projektit në Zonën e Peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, si dhe në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës. Janë gjithsej tre-katër paragrafë të marra nga një studim prej, rreth 400 faqesh.

E vetmja punë e kryer mund të quhet përkthimi i këtyre paragrafëve nga anglishtja në shqip, çka do të kërkonte, më shumë se sa një eksperte, një përkthyese. Vendosja e një emri të ndryshëm mbi ekspertizë, nuk siguron një ekspertizë ndryshe.

Por, si për ironi, studimi origjinal, i përkthyer dhe tashmë, pjesë e vlerësimit mjedisor nga “Abkons”, është shndërruar, në pikën fokale të betejës disa vjeçare për një Vjosë pa diga nga disa organizata, të njohura brenda dhe jashtë vendit (RiverWatch, EcoAlbania, EuroNatur, BankWatch etj). Pra, të njëjtat të dhëna, të marra nga studimi i kryer i shkencëtarëve europianë, për të ndaluar digat mbi rrjedhën qëndrore të Vjosës, në vitin 2017, po përdoren sot në të kundërtën: për të lejuar ndërtimin e tyre mbi rrjedhën qëndrore të Vjosës, çka  ngre një problem etik, pasi po përdoren të njëtat të dhëna për dy projekte, jo vetëm të ndryshme, por dhe me qëllime të kundërta?

Dëgjesa e mbajtur dje, në sallën e Qendrës Kulturore të qytetit të Memaliajt mund të jetë e fundit, përpara se “Abkons” t’i dorëzojë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit raportin përfundimtar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). Në pak javë, në përputhje me procedurat ligjore, Ministria duhet të marrë një vendim, për dhënien osë jo të Deklaratës Mjedisore, çka lejon ose pengon ngritjen e kantierit për ndërtimin e të famshmes, digës së Kalivaçit.

Cfarë do të bëjë ministria? Kjo mbetet për t’u parë.

Ndërkohë që Vjosa është një çështje ndërkombëtare. Konventa e Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) i ka rekomanduar qeverisë të pezullojë ndërtimin e digave mbi Vjosë, deri sa të hartojë planet e menaxhimit të lumenjve, konkretisht Planin e Menaxhimit të Basenit të Vjosës. Por qeveria vazhdoi me planin e saj.

Në të kundërt, ajo zgjodhi të nisë procesin për zbatimin e kontratës për ndërtimin e digës së Kalivaçit mbi Vjosë e më pas, atë të hartimit të Planit të Basenit. Plani në fjalë sapo ka filluar dhe sipas Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), do të përfundojë brenda tri viteve, atëherë kur, nëse vlerësimi mjedisor do të pranohet, diga e Kalivaçit do të jetë ndërtuar. Qeveria po tregon, jo vetëm mospërfillje, por edhe mungesë ndjeshmërie.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>