Vrasja në Elbasan, çfarë dimë deri tani?

Nga Exit News
Vrasja në Elbasan, çfarë dimë deri tani?

Të mërkurën rreth orës 14:00 në lagjen 5 Maji në Elbasan, gjatë një konflikti mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosen katër persona të tjerë, mes tyre dhe një police.

Personat e plagosur janë Emiljan Prenga 39 vjeç,  Pavlo Vuksani  50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, dhëndri i Pjerin Xhuvanit, dhe Xhensila Sota  27 vjeçe police.

Autori i vrasjes është  Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA-s i cili qëlloi mbi Pjerin Xhuvanin, më pas vetëdorëzua në polici. Ai tha se ka qëlluar për vetëmbrojte.

Paplekaj ishte shoqëruesi i drejtuesit politik të Elbasanit Gazmend Bardhi.

“Shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar, por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh. Unë qëllova për vetëmbrojtje”, ka deklaruar Paplekaj para policisë.

Janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Disa qytetarë kishin vërejtur praninë e disa furgonave në qytet dhe kanë lajmëruar policinë, pasi personat ishin të armatosur.

Sipas PD furgonët po shpërndanin para dhe kishin karda ID dhe fleta votimit.

Nga informacionet e deri tanishme dihet se kanë qëlluar vetëm dy armë.

Kush është Pjerin Xhuvani

Pjerin Xhuvani, ish-kreu i LSI i vrarë të mërkurën në Elbasan, ishte një figurë e përfolur në skenën politike shqiptare.

Ai u përmend në 2015 për rolin e tij në mbulimin e Kostandin Xhuvanit, djalit të aktores së mirënjohur Luiza Xhuvani.

Në cilësinë e drejtorit të Spitalit Psikiatrik Elbasan, ai lëshoi një vërtetim që sikur  Xhuvani ishte i shtruar ditën kur kishte patur një përplasje me armë në Gjirokastër.

Dokumenti shërbeu si alibi dhe e shpëtoi Kostandin Xhuvanin nga procedimi penal, duke e lejuar të kryente vrasjen e katërfishtë muaj më vonë.

Në të njëjtin vit ai do të arrestohej me akuza për abuzim me fondin e ilaçeve të rimbursueshme si kreu rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Xhuvani do të lirohej, por pas akuzave, LSI-ja e përjashtoi nga radhët e saj.

Dy vjet më vonë, në 2017, ai do të shfaqej në krah të kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizit, rivalit politik të LSI-së.

Më së fundmi, emri i tij u lakua nga PD si një nga anëtarët e bandave që shkaktoi përplasjen PD-PS Ditën e Verës në Elbasan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>