Në një intervistë për Tv Klan, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzoi Albin Kurtin se i ka ofenduar vajzën minorene dhe nuk i ka kërkuar ende falje.
“[…] dhe jo për gjëra personale siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar bijën time minorene duke e përfshirë në procese politike sepse njerëzit e ndershëm këtë nuk e bëjnë, por ta lëmë anash.
[..] njerëzit e pjekur dhe serioz nuk ofendojnë gocat minorene, kjo nuk bëhet në një botë të sjellshme. Për këtë është dashur të thotë më falni, por nuk ka thënë. Kjo nuk bëhet. Këtë duhet ta mësoni”.
Vuçiç tha se arritja e një marrëveshje me shqiptarët është në të mirë të së ardhmes së integrimit dhe ekonomisë së dy vendeve.
“Unë e di që ai mendon se sa më i mprehtë të jem ndaj serbëve, do të marr më shumë vota, pasi njerëzit kanë qejf të thonë bravo, bravo, bravo, por jo, jo, edhe shqiptarët pas tre vitesh do të pyesin udhëheqësit e tyre përse nuk kanë bërë kompromis me serbët.
Ashtu siç do më pyesin serbët përse nuk ke arritur marrëveshje me shqiptarët, edhe pse sot duket sikur askush nuk e dëshiron këtë në asnjërën anë. Në fund të gjithë do ta kuptojnë që kjo është e shkaktari është i lidhur me atë që është e ardhmja jonë, nga e ardhmja evropiane, nga ekonomia më e mirë.”
Ndërsa për arritjen e një kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës me Albin Kurtin kryeministër, Vuçiç u përgjigj se:
“Për mua edhe ashtu ka qenë vështirë. Siç e shihni nuk kemi arritur tek rezultati. Nëse do të jetë me vështirë apo jo nuk e di, por për mua është vështirë që nuk kemi një zgjidhje të kompromisit dhe unë flas për gjëra serioze[..].
Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë them që nëse nuk dëshironi kompromis nuk ka problem njerëz dhe vetëm na njoftoni dhe më thoni që nuk duam dhe ne do të themi në rregull, do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë se ju, por me një autoritet më të madh se ju në bashkësinë ndërkombëtare që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj më sa duket dhe nuk kam asnjë problem me këtë.”
Akuzat e Vuçiçit u hodhën poshtë nga Albin Kurti, i cili në një intervistë për emisionin Opinion u shpreh se:
“Unë kam thënë në parim që këta të dy [Vuçiç dhe Thaçi], aq shumë janë afruar e duan të bëjnë marrëveshje si monarkë mesjetarë, vetëm ju ka ngelur edhe të bëjnë krushqi e t’i martojnë fëmijët e tyre.”