Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar të enjten, se në 2 shtator, në Uashington, nuk do të bisedojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë një komunikimi me median, pyetur për deklaratën e Ramush Haradinajt se Kosova në 2 shtator duhet të synojë për një marrëveshje përfundimtare, Vuçiç u përgjigj:
“Nëse e pret këtë, Ramushi mund ta kthejë avionin e tij, në mënyrë që të mos harxhojë vajguri.
Ne do të shkojmë në Uashington për të biseduar për temat e vendousra, dhe ai skenar ku ata marrin gjithçka dhe nuk kemi asgjë, nuk do të ndodhë. Por gjithçka është e mundur. Për sa kohë që jam i ndërgjegjshëm dhe mund të mendoj në mënyrë racionale, kjo nuk do të ndodhë.”
Një ditë më parë, Haradinaj ka deklaruar se beson se ky moment – kur vëmendja që Shtetet e Bashkuara po i japin Kosovës është shtuar – duhet të shfrytëzohet për të zgjidhur çështjet me Serbinë njëherë e mirë dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare për njohjen e pavarësisë.
Në takimin në Uashington në 2 shtator, me ndërmjetësimin e Riçard Grenellit, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Tramp, tema kryesore e takimit pritet të jetë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
Duket se çështja kryesore e njohjes së Kosovës mbetet jashtë negociatave. Ndërsa Kosova pretendon se ka hyrë në dialogu ekskluzivisht për njohje reciproke , Serbia mohon kategorikisht se mund të diskutojë ndonjëherë për njohjen e Kosovës.